Demi Lovato habit me deklaratën: Kam kaluar zyrtarisht në gjininë asnjanëse
Demi Lovato bëri sërish bujë në media me deklaratën e saj të fundit, ku e shpalli veten si të papërcaktuar në gjini. Këngëtarja do t’i përdorë përemrat ai dhe ajo për veten e saj.
“Jam akoma duke mësuar dhe duke ardhur në veten time”, është shprehur ajo.
Këtë lajm e ka dhënë vetë Lovato përmes një video të publikuar në Instagram.
”Kjo ka ardhur pas shumë punimesh shëruese dhe vetë-reflektuese. Unë jam ende duke mësuar dhe po hyj në vetvete, dhe nuk pretendoj të jem eksperte ose zëdhënëse. Ndarja e kësaj me ju tani hap një tjetër nivel të cenueshmërisë për mua. Po e bëj këtë për ata atje që nuk kanë qenë në gjendje të ndajnë se kush janë në të vërtetë me të dashurit e tyre. Ju lutemi vazhdoni të jetoni në të vërtetat tuaja dhe ta dini se po dërgoj aq shumë dashuri në rrugën tuaj”.
Sipas mediave të huaja, artistja ka njoftuar se tashmë ka zyrtarisht një identitet gjinor jo binar (të papërcaktuar).
Në korrik të 2020-s, Demi Lovato u fejua me Max Ehrich dhe vetëm dy muaj më vonë ata të dy u ndanë. Në një intervistë të dhënë së fundmi, këngëtarja është shprehur se ndarja ishte një shenjë e madhe për orientimin e saj seksual.
“Kur fillova të rritesha, nisa të kuptoja se sa e veçantë jam në të vërtetë. Vitin e shkuar unë isha e fejuar me një burrë dhe kur nuk funksionoi, mendova ‘Kjo është një shenjë e madhe’. Mendoja se do e kaloja jetën time me dikë. Tani që nuk do të ndodhte, u ndjeva më e lirë që mund të jetoja të vërtetën time”, është shprehur Demi në një intervistë për revistën “Glamour”.
“U lidha me një vajzë dhe aty kuptova se kjo më pëlqente shumë më shumë. Ndihesha më mirë. Isha shumë në rregull. Me meshkujt, me të cilët kam qenë në lidhje, kur vinte puna tek marrëdhëniet intime, nuk doja të bëja asgjë. Nuk kishte fare lidhje personi me të cilin isha. I vlerësoja ata njerëz më shumë për miqësinë e tyre se sa për romancën dhe nuk doja romancë nga askush tjetër nga seksi i kundërt”, është shprehur Demi.
Së fundmi, teksa fliste për orientimin e saj seksual, Demi ka pranuar hapur se është panseksuale.
Këngëtarja rrëfeu se kishte pasur një zgjim seksual kur pa skenën e famshme të puthjes së Sarah Michelle Gellar dhe Selma Blair në filmin “Cruel Intentions 1999”, por padyshim që u prek nga edukata e saj konservatore
“Oh, më pëlqeu, por ndjeva shumë turp, sepse u rrita në Teksas si e krishterë, kjo është shumë zhgënjyese. Çdo tërheqje që kisha për një femër në moshë të re, e mbyllja brenda vetes para se të përpunoja atë që po ndieja”-tregoi ajo.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, të jesh panseksual do të thotë të mos tërhiqesh nga gjinia por vetëm nga personi, pa marrë parasysh nëse ai është mashkull apo femër. Pra, orientimi seksual apo identiteti gjinor nuk ka aspak rëndësi për ta.
E pyetur nëse dëshiron të ketë fëmijë, Demi rrëfeu se ka dëshirë të adoptojë.
Ajo foli gjithashtu për fejesën e prishur me Max Ehrich dhe çfarë nuk shkoi me të.
“Nuk e di, unë isha e fejuar me një burrë vitin e kaluar. Mendova se do të isha e martuar, mbase shtatzënë. Dhe nuk është kështu. Unë e di që jeta ime nuk po shkon sipas planit tim.
Jeta nuk shkon sipas asnjë plani. Kështu që, po dua të kem fëmijë, por nuk e di, sepse kjo mund të ndryshojë javën tjetër. Mendoj se në këtë moment dua të adoptoj”, u shpreh Demi.