Detaje nga dasma mbretërore

Lartësia e Tij Princi Leka II, nipi i Mbretit Zog dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia do ta organizojnë dasmën e tyre në mjediset e Rezidencës ku jetojnë aktualisht dhe në Pallatin e Brigadave, Pallatin e dikurshëm Mbretëror.

Celebrimi do të zhvillohet në orën 11.00 në mjediset e Pallatit të Brigadave, në praninë e rreth 800 të ftuarëve, Lartësive të tyre, përfaqësues të familjeve të njohura rojale të Evropës, Iranit dhe Marokut, krerëve të shtetit shqiptar dhe krerëve të klerit në Shqipëri të cilët do të përshëndesin këtë martesë, pas celebrimit civil. Më pas, gjithë të ftuarit do të zhvendosen për në mjediset e Rezidencës pranë Galerisë së Arteve ku do të mbahet një koktej që do të zgjasë rreth dy orë.

Në qendër të vëmendjes së organizatorëve të këtij eventi dhe dëshirë parësore e Familjes Mbretërore dhe çiftit, është promovimi i traditës, artit, kulturës, veshjeve, kulinarisë, pijeve, muzikës dhe valleve shqiptare të cilat do të shoqërojnë etapat e kësaj dasme.

Pas një pushimi disaorësh, pas koktejit, dasma do të vazhdojë me darkën që do të mbahet në Pallatin e Brigadave me rreth 300 të ftuar, 150 përfaqësues të familjeve të rëndësishme mbretërore, Lartësitë e tyre, të ftuar të huaj dhe 150 të afërm dhe miq të ngushtë të çiftit.

Siç kemi mësuar, darka do të shtrohet në një mjedis të thjeshtë dhe elegant, ku do të mbizotërojnë ngjyrat e lehta, si dhe fildishi dhe e florinjta. Në tavolina, të cilat do të mbajnë emrin e trojeve të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë kufijëve aktualë të Shqipërisë, do të ketë kompozime lulesh natyrale të ulëta dhe të larta. I gjithë mjedisi do të jetë i dekoruar me lule natyrale, nën një koncept mbretëror dhe fisnik ku do të mbizotërojnë orkidea, trëndafili i bardhë dhe lulet simbolike mbretërore.

E megjithatë vula kombëtare nuk do të humbasë në asnjë çast. Ajo do të mbizotërojë në atmosferë dhe do të shfaqet edhe në detaje të vogla si te veshja kombëtare e fëmijës që do të mbajë unazat gjatë celebrimit, apo te gotat e shampanjës dhe pecetat mbi pjatë që do të kenë logon e shqiponjës.

Në koktej dhe në darkë do të shërbehen pije shqiptare dhe gatime tradicionale të përgatitura nga Mrizi i Zanave.

Darka do të mbyllet me çastin e tortës dhe kërcimin e çiftit.

Shumë media ndërkombëtare janë akredituar për të ndjekur këtë event, ashtu si edhe mediat shqiptare, disa prej të cilave do e mbulojnë live dasmën më të rëndësishme në Shqipëri, që nga viti 1938. – Class-.

SHKARKO APP