Dita dhe unë presin zgjimin tënd… rreze dielli që ndeze dritën

Albert Vataj

Është mëngjes! Drita ka hyrë në dhomën ku ti fle. Unë jam zgjuar dhe dielli ende nuk ka dalë, që të mund të vi tek ti në çdo rreze e të mbushem me ty në çdo ndijim e ëmbëltim.
Pres, pres duke u rropatur kujtimeve e vegimeve që le në ikje; të bashkoj copëzat e hireve tuaja, buzëqeshjeve të kredhura në eter, prekjeve plot prehje të prushura në përjetim, shikimeve të kapluara përkorjes që prarueshëm shenjtërohen në ikonë.
Copëz pas copëze përpiqem të të krijoj, të mund të ribëj, magjepsjen që vibron në gjithë qenien tënde, ëndjen e dalldinë mbrujtur me epsh në ty, për ta mbushur me të, këtë mungim që natën ma rrebeshi nën yjet që ndeze ti.
Mes përfytyrimeve dhe rrahjeve të zemrës, më në fund arrij të të shoh, ashtu të dritshme që shfaqesh, si një vegim në dridhmat e dritës që përgjon përtej perdes. Bardhësia e petkave të natës, që ke hedhur sipër, nuk të kanë mbuluar të tërën. Këmisha është anuar gjatë shkujdesjes së gjumit, dhe njëri gji ka kërcyer jashtë dhe drita zbret të shuaj etjen e natës, e unë digjem etjes. Petalet e lakuriqsisë që andshëm shkrehen në bardhësinë e çarçafëve, grishin me lakimet e buta, si të një magjepsjeje që kridhet në mermerin e një mjeshtri, pas mijëra goditjesh mbi shkëmb e qindra ledhatimesh në hukamë.
Flokët e artë të janë shpërndarë në jastëk si rrënjë, ku ka mbirë dhe çelur një zambak i bardhë, petalet e së cilës shohin ditën që ka lindur dhe pret ty të zgjohesh. Buzët si qershi të kuqe flakë, nuk e di se si nuk plasin dhe të zjarmin agun, në këtë gosti joshjeje që ke shtrehur, për rrezet e diellit dhe ëndjen time.
Kundroj prej atje larg dhe ëndshëm pres që të hapësh ato qepalla që prarueshëm të bien mbi hir, dhe qelqi i atij shikimi ta mbush plot kupën e qiellit me kaltërsi, e të më flaki në fluturime dhe me rrezet e kësaj nadje, të mund të vij tek ti.
Ende është mëngjes, unë pres që ti të lejosh natën të iki, e të të lënë në krahët ë ëndërrimeve. Bashkë me mua, rrezet e këtij agimi mbushur me diell, jemi aty përtej xhamit duke pritur të shihemi me ty, të ndihemi në ty dhe të mbushemi me ty.
Sot, sot si dje, jemi plot dëshirim e padurim, që ti të zgjohesh e të vishemi me rrezet e hirit tënd, të digjemi në zjarrin e atij kurmi që prej zjarresh është gatuar në me shpërthim Vezuvi vjen.
Unë e drita jemi duke pritur në ditën që po vishet me diell e ndizet në dëshirim për tu hedhur në krahët e tu, për t’u derdhur me ujëvarat në kraharorin tënd, për t’u dehur me hënat në gjoksin tënd, për t’u çarë në shegën e atij kuqëlimi ku ti digjesh.
Më në fund zgjohesh, dhe duke hedhur tej mbulesën dhe gjumin shpërthen duke verbuar me dritën e rrezatimit tënd. As unë e as drita nuk pamë më. Sytë na i more me diellin që përpushe e në ty u tretëm si frymë, me ty u mbushmë pafundësinë.
Është mëngjes, tashmë dita është mbushur me dritë e me ty. Unë përplot me vetmi e mungim shihem me rrezet e atij dielli që ndeze ti.

SHKARKO APP