Divercohet çifti më miliarder në botë

Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara ka përfunduar divorcin e themeluesit të kompanisë së fuqishme Amazon, Jeff Bezos dhe gruas së tij MacKenzie.

Sipas marrëveshjes së divorcit, të njoftuar nga Bloomberg News, MacKenzie Bezos do të marrë katër për qind të aksioneve të Amazonit, me vlerë 38.3 miliardë dollarë, para të mjaftueshme për ta pozicionuar atë në vendin e 22-të në Indeksin e miliarderëve të firmës Bloomberg.

Jeff Bezos do të mbajë 12 për qind të aksioneve në kompaninë gjigande të shitjeve me pakicë, me vlerë 114.8 miliardë dollarë, duke mbetur kështu njeriu më i pasur në botë.

MacKenzie ka thënë se do t’i japë ish-bashkëshortit kontrollin e aksioneve të saj të Amazon, dhe t’i lerë atij pjesën e saj të aksioneve në gazetën The Washington Post dhe në firmën e eksplorimit të hapësirës Blue Origin. Ajo gjithashtu u zotua në fillim të këtij viti se do ta dhurojë gjysmën e pasurisë së saj për bamirësi.

Çifti Bezos kishin 25 vjet martesë kur njoftuan planin për divorc në janar. Ata kanë katër fëmijë.

SHKARKO APP