Dua Lipa: Mezi pres të vij në vendlindje

Këngëtarja e re shqiptare, që po shijon suksese ndërkombëtare, Dua Lipa, thotë se mezi pret që të mbajë koncertin e caktuar për 9 gusht në parkun e Gërmisë. Këngëtarja me famë botërore, e cila ka performuar në të njëjtat skena me emra të njohur si Adele, “Coldplay”, “Muse”, PJ Harvey do të performojë në Prishtinë në një koncert, të ardhurat e së cilës do të shkojnë për fondacionin “Sunny Hill”, që ka si qellim përmirësimin e jetës në Kosovë. Përmes rrjeteve sociale ajo ka thënë se mezi pret që të mbajë koncertin e parë në vendlindje. “Fondacioni Sunny Hill është organizatë që e kam krijuar për fokus në ndihmën e shoqërisë kosovare në aspekte të ndryshme, sidomos në art e kulturë. Faleminderit organizatorëve dhe përkrahësve që kanë bë të mundshëm organizimin e koncertit e në të njëjtën kohë janë duke ndihmuar Fondacionin Sunny Hill. Jam shumë e lumtur që po e përkrahni këtë ide. Faleminderit nga zemra vullnetarëve që po duken shumë bukur. E di që Kosova e Prishtina janë gjithmonë me mua, kudo që shkoj. Mezi po pres me ardh n’vendin tem edhe mu knaq shumë n’koncert, e këtë kënaqësi e bon shumë ma të madhe fakti që ky koncert në të ardhmen ka me ndihmu artin dhe kulturën në Prishtinë dhe Kosovë. Shihemi shumë shpejt. Ju dua shumë”, ka shkruar ajo në gjuhën shqipe dhe angleze. Pas koncertit në Prishtinë, Dua do të performojë edhe në Tiranë.

SHKARKO APP