Dua Lipa thyen rekordin e Adele, “New Rules” bëhet hit botëror (VIDEO)
Prej dy vitesh, Britania e Madhe ka pothuajse vetëm këngëtarë burra në vendin e parë të klasifikimeve muzikore. Dua Lipa bëhet e para grua solo në krye të klasifikimeve muzikore britanike pas dy vitesh, që kur Adele publikoi superhitin “Hello”. Mediat e huaja shkruajnë plot entuziazëm për suksesin e këngës “New Rules”, por Dua Lipa ka një arsye tjetër madhore për të festuar, përveçse theu “rregullin e burrave” në krye të renditjes.
Është e para këngë në të gjithë karrierën e Dua Lipa-s që arrin të renditet e para në Mbretërinë e Bashkuar, madje është hera e parë që hyn në 5-shen e këngëve më të dëgjuara. “New Rules” ka marrë përmasat e një hiti botëror, duke marrë edhe vlerësimin më të lartë nga Phil Christie, presidenti i kompanisë diskografike Warner Bros. Records UK.
“Nuk kemi patur kurrë dyshime për talentin e Dua-s. Një vend i parë në Mbretërinë e Bashkuar është një arritje tepër domethënëse në rrugën e saj për t’u bërë yll botëror muzike”, u shpreh ai. Edhe pse këngët e saj të mëparshme kanë patur sukses dhe kanë arritur të renditen mirë në klasifikime, asnjë s’ka patur jehonën e “New Rules”.
Lipa shprehu lumturinë pak më parë në Instagram, ku postoi shkrimin e një mediaje të huaj për ngjitjen e Dua-s në krye të renditjeve, dhe pohoi se është periudha më e lumtur e jetës së saj: “New Rules është zyrtarisht e para në Mbretërinë e Bashkuar! Aktualisht gjendem në Japoni…duke jetuar kohën më të bukur të jetës! Numri 1, ia dolëm! Ju falenderoj që e dëgjuat online, që e shkarkuat dhe që e ndatë me miqtë. Ju dua përgjithmonë!”/Anabel/
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=k2qgadSvNyU” width=”560″ height=”315″]