Dukesha Kate shtatzënë, në pritje të fëmijës së tretë

Familja mbretërore britanike do të shtohet me një anëtar të ri, teksa Pallati i Kensingtonit përcolli lajmin se Kate Middleton është shtatzënë. Ky është fëmija i tretë për Dukën dhe Dukeshën e Kembrixhit, si dhe stërnipi ose stërmbesa e gjashtë për Mbretëreshën Elizabeth, e cila e ka pritur me kënaqësi lajmin e shtatzënisë. Një lajm i ëmbël për familjen mbretërore britanike: Duka dhe Dukesha i Kembrixhit janë në pritje të fëmijës së tyre të tretë. Lajmi u konfirmua nga Pallati i Kensingtonit dhe duket se Mbretëresha dhe të dy familjet janë mëse të kënaqur për këtë anëtar të ri që do të vijë së shpejti. Ashtu si edhe me dy shtatzënitë e para, Dukesha Kate, 35 vjeç, po vuan nga hyperemesis gravidarum, ose pështjellimi i mëngjesit. Gjendja prek 1 në 200 gra shtatzëna. Duka dhe Dukesha janë prindër të 4-vjeçarit George dhe 2-vjeçares Charlotte. Kështu, fëmija i tretë i çiftit do të jetë i pesti në radhë për marrjen e fronit, pas Princit Charles, Princit William, Princit George dhe Princeshës Charlotte. Për Mbretëreshën Elizabeth, ky fëmijë do të jetë stërnipi, ose stërmbesa e gjashtë. Nëse do të bëhet fjalë për një djalë, kjo do të jetë hera e parë ku do të hyjë në fuqi ndryshimi i miratuar në mars 2015, që i ndalon djemve mbretërorë të kenë përparësi ndaj motrave të tyre në linjën e trashëgimisë. Megjithatë, të bëhesh Mbret ose Mbretëreshë si fëmija i tretë mbretëror i lindur është diçka e rrallë – dhe ende nuk ka ndodhur në Dinastinë e Windsor-ve, që është aktualisht në krye të fronit britanik. Sidoqoftë, William IV nga Dinastia Hanover, fëmija e tretë i George-t III dhe Mbretëreshës Charlotte ia doli të bëhej mbret e të qeverise vendin për 7 vjet, pas vdekjes së vëllait të tij më të madh, i cili nuk la pas trashëgimtarë.

SHKARKO APP