Dy vjet e tetë muaj burg për ish-ushtarakun që grabiti shtëpinë e Rooneyt
Një ish-ushtarak, i cili u përpoq të grabiste rezidencën gjashtë milionë dollarëshe të Wayne Rooneyt, është burgosur. Robert McNamara ka hyrë në shtëpinë e futbollistit anglez gjatë verës, kur ai ndodhej në një ndeshje miqësore. Pas seancave gjyqësore, të mërkurën 25-vjeçari është dënuar me dy vjet e tetë muaj burg. Gruaja e Rooneyt, Coleen, ka thënë se ishte shqetësuar pas incidentit dhe me net të tëra nuk kishte fjetur nga frika për tre fëmijët e çiftit. Në kohën kur McNamara ka hyrë në shtëpinë e futbollistit në Prestbury të Cheshire, ai ishte duke zhvilluar një ndeshje miqësore kundër Evertonit, ndërsa edhe gruaja dhe tre djemtë, Kai, Klay dhe Kit, ndodheshin në Old Trafford për te ndjekur ndeshjen. Ai u përpoq të vidhte në shtëpinë e Rooneyt më 3 gusht 2016. Ndryshe, McNamara më herët është diagnostikuar me çrregullim bipolar (psikozë maniako-depresive), pasi kishte shërbyer me forcat ushtarake.