Dy vjet pas humbjes së bashkëshortes, Stefi Prifti: Pa të ndihem përgjysmë

Sëmundja që i mori jetën para kohe Marinës bashkëshortes së Stefi Prifti nuk ishte dhimbje e madhe vetëm për të por sidomos mungesa e saj ndihet edhe nga dy vajzat, Maria dhe Joana.

Dy vjet më pas, motrat janë edhe më të lidhura me njëra-tjetrën, por e ndiejnë shumë mungesën e të atit në shtëpi.

Dhe ky është pengu më i madh për Stefin. Për shkak të angazhimeve artistike, ai nuk mund të jetë aq sa do të donte pranë të bijave, por edhe sikur të mundte, nuk do arrinte kurrë ta zëvendësonte bashkëshorten e ndjerë.

I ftuar këtë pasdite në “Pasdite në Top Channel”, Stefi rrëfeu për jetën gjatë këtyre dy viteve pa Marinën, përkushtimin ndaj të bijave, forcën që ka marrë prej tyre për të vazhduar përpara dhe, natyrisht, ngushëllimin që gjen te muzika.

I ndier në faj për mungesën në shtëpi, Stefi thotë se pengu më i madh i tij është koha me të bijat, edhe sepse ato ia kërkojnë gjithmonë këtë: “Ajo që më shqetëson më shumë tani është mungesa ime në shtëpi.

Vajzat më thonë “baba, duhet të jesh më shumë në shtëpi”,- thotë Stefi duke shtuar se, sidomos tani që është vetëm, i duhet të vendosë të tjera prioritete që nuk janë gjithmonë aq të thjeshta. Megjithatë, është krenar si për Marian, ashtu edhe për Joanën: “Do të isha shumë i lumtur nëse do të bëjnë në jetë atë që bënte nëna e tyre…”.

Vajzat janë ato që i kanë dhënë më shumë forcë, ato që e bëjnë kranar çdo ditë, por edhe muzika. Edhe në ato momente kur e ndien më shumë mungesën e bashkëshortes, Stefi e gjen një mënyrë, megjithatë pranon se pa Marinën… “jam përgjysmë, nuk jam më i plotë. Ne ishim të lidhur qysh studentë, me Marinën, jeta ime me të ishte shumë e gjatë”.

 

 

SHKARKO APP