Emigrantët shqiptarë që e rigjetën famën në atdhe
Personazhet që janë larguar ose janë rikthyer në vend për karrierën artistike.
Miriam Cani
Miriam Cani u bë e njohur në Gjermani, pasi fitoi një talent-show duke u përzgjedhur si pjesë e grupit pop të vajzave ‘The Predulers’. Ndonëse edhe pasi grupi u nda, ajo vijoi karrierën në Gjermani, këtë herë si moderator e programeve muzikore në televizionin gjerman, ajo nisi të krijonte një karrierë edhe në vendin e saj, fillimisht duke marrë pjesë në Festivalin e Këngës, e më pas me ‘Chicago’, musical-in që e bashkoi me Alban Skënderajn, çka do ta sillte përfundimisht Miriamin në Shqipëri.
Ermonela Jaho
Sopranoja e mirënjohur shqiptare është larguar nga vendi në vitin 1993, pasi fitoi një konkurs të organizuar në Shqipëri nga sopranoja italiane Katia Riçarelli. Pasi u zhvendos në Itali ku studioi për kanto dhe piano, Jaho është shpallur fituese e disa konkurseve tepër të rëndësishme dhe karriera e saj, ka pasur një rritje të menjëhershme duke bërë që sopranoja të performojë në disa prej skenave më prestigjoze në botë. Rolet e saj kanë marrë kritika të shkëlqyera dhe sopranoja është e prenotuar për vite të tëra në vazhdim, nga disa prej shtëpive më prestigjoze të operas në botë si Opera Mbretërore e Londrës, Opera Nacionale e Parisit etj
Frederik Ndoci
Frederik Ndoci u nis për në Amerikë në vitet ’90, me shpresa të mëdha. E megjithatë, pas shumë vitesh jetesë atje, duke regjistruar disa albume kryesisht në rrymën e pop-it latin, ai vendosi t’i kthehej përsëri Shqipërisë në vitin 2006, kur mori pjesë në Festivalin e Këngës dhe u zgjodh si përfaqësues e Shqipërisë në Eurosong. Së fundmi, në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Sot’, Ndoci tregoi se kishte ndërmend të kthehej përsëri në Amerikë, pasi ishte shumë i zhgënjyer nga vendi tij, tashmë edhe si baba i fëmijëve me bashkëshorten Alisa
Merita Halili
Këngëtarja e mirënjohur e folkut të Shqipërisë së Mesme ka nisur të këndojë që në moshë shumë të vogël, dhe kur ishte 17 vjeç u bë e njohur për zërin e saj. Në vitet ’90, si shumë artistë shqiptarë ajo u shpërngul bashkë me familjen në Shtetet e Bashkuara, ku vijoi të këndonte për shqiptarët në Amerikë por edhe për amerikanët, duke përshtatur edhe motivet shqiptare në anglisht, që këngët të kuptoheshin edhe nga publiku atje. Gjithmonë me bashëkshortin, ajo merr pjesë në shumë koncerte e megjithatë, është kthyer për të kënduar në Shqipëri në 2012-ën në spektaklin ‘Këngët e Shekullit’, së bashku me bashkëshortin Raif Hyseni.
Saimir Pirgu
Tenori i suksesshëm ka lindur në Elbasan, ku është diplomuar si violinist e më pas ka studiuar në konservatorin “Claudio Monteverdi” në Bolzano, ku u diplomua për kanto në moshën 21-vjeçare. “I mbrojturi” i tenorit të madh Luciano Pavarotti, në karrierën e tij relativisht të re ka fituar çmime prestigjoze të botës operistike dhe ka performuar në skenat më të rëndësishme botërore ku ka marrë kritika të shkëlqyera. Pirgu është një prej artistëve më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, i cili herë pas here, rikthehet në vendin tonë për të dhënë shfaqje.
Young Zerka
I larguar drejt Anglisë që në moshë minorene, jetesa me një familje xhamajkane ka qenë vendimtare në formimin e tij si artist. Donald Najtellari i cili njihet nga publiku si Young Zerka, pas rikthimit të tij në Shqipëri, është bërë menjëherë i famshëm për publikun me bashkëpunimet e tij me këngëtarë të njohur si Alban Skënderaj dhe Aurela Gaçe, me të cilën u shpall fitues i “Kënga Magjike” në vitin 2014.
Parashqevi Simaku
Një ndër ikonat e Festivalit të Këngës, Parashqevi Simaku, u largua për në Amerikë në vitin 1993, ku nisi të jetonte në Nju Jork e më pas në Los Angeles. Atje ajo njohu Robert, që më vonë do të bëhej babai djalit të saj, Luke, tani 13 vjeç. Njëfarë kohe, qarkulloi lajmi se Simaku kishte nënshkruar një kontratë me një shtëpi të madhe diskografike në Amerikë, megjithatë nuk u dëgjua më asgjë tjetër për karrierën e saj. Është mësuar se Parashqevi Simaku është divorcuar nga bashkëshorti Robert, dhe sipas Jolanda Dhamos, ajo ka kaluar një paralizë faciale që nuk e lejon të këndojë.
Alban Skënderaj
Alban Skënderaj jetonte në Itali kur krijoi këngën ‘Vetëm ty”. Pasi tentoi të konkurronte me këtë këngë në Festivalin e Këngës, por nuk u pranua nga juria, ai dërgoi CD-në e baladës ‘Vetëm ty’ në Top Fest, ku jo vetëm që kënga do të pëlqehej shumë, por do të kthehej në një himn duke u shpallur fituese pa asnjë dyshim. Dhe gjithashtu, duke e kthyer Skënderajn në një ndër kantautorët më të famshëm. Që atëherë, ai u shpërngul përsëri në Shqipëri, ku u njoh edhe me nënën e ardhshme të fëmijës së tij, Miriamin, duke lënë pas në Itali vëllain e tij, Taulantin.
Noizy
Në vitin 1997, Rigels Rajku së bashku me familjen e tij udhëtuan për në Angli, për të kërkuar një jetë më të mirë. Siç ka treguar Noizy, siç njihet tani gjerësisht, ai ka jetuar në një prej lagjeve më të rrezikshme të Londrës, ku ka mësuar edhe të ndeshet në street fight, (ndeshje rruge). Ai filloi të merrej edhe me muzikë e, ishte pjesëmarrja e tij në këngën magjikeb me këngën ‘Veç për ty’ në vitin 2007, që do ta bënte gjerësisht të njohur në Shqipëri. Më pas Noizy do të kthehej në Shqipëri duke u bërë një prej reperët më të famshëm së bashku me grupin e tij OTR.
Era Istrefi
Kur publikoi këngën e saj të parë “Mani për money”, Era Istrefi identifikohej kryesisht si motra e vogel e Nora Istrefit. Por rezultoi se suksesi i saj, do ta tejkalonte atë të Norës duke qenë se kënga “Bon Bon”, e bëri taë të njohur në tregun ndërkombëtar muzikor dhe i siguroi artistes një kontratë me kompaninë gjigande ‘Sony Music” dhe pak kohë më parë, Era u zhvendos në SHBA për të filluar përgatitjet për karrierën e saj tashmë ndërkobëtare.
Elina Duni
Këngëtarja e rrymës jazz e ka filluar karrierën e saj muzikore që në moshën 5-vjeçare, duke marrë pjesë në koncertet e Radio Televizionit Shqiptar. Në moshën 10 vjeçare, ajo zhvendoset në Gjenevë të Zvicrës ku fillon studimet e pianos dhe dashurohet me jazz-in. Ajo së bashku me kuartetin e saj kanë publikuar disa albume të suksesshme, që janë një kombinim i muzikës folklorike ballkanike dhe i muzikës jazz. Herë pas here, ajo rikthehet në Shqipëri për të performuar në koncerte apo evente të caktuara.
Elhaida Dani
Këngëtarja shkodrane u bë e njohur pasi fitoi “Star Academy” në vitin 2009 dhe “Top Fest” në vitin 2012. Në po këtë vit, ajo u zhvendos në Itali ku u shpall fituese e “The Voice of Italy” dhe emri i saj u bë edhe më i njohur në botë, pas pjeëmarrjes në festivalin e “Eurosong”.
Dafina Zeqiri
Dafina Zeqiri ka lindur në Suedi, ku është shkolluar dhe ka nisur të këndojë, duke marrë pjesë në festivalet e zërave të rinj. Për të ndjekur karrierën e saj muzikore ajo u kthye në Kosovë kur ishte 16 vjeç, ku më vonë publikoi disa këngë që do ta bënin të famshme. Fillimisht ajo këndoi në këngën ‘La Vida Loca’ me Bleron dhe F Kay, e më pas ‘Amazing Girl’, ndërsa suksesin më të madh do t’ia jepte kënga ‘Ti po m’pëlqen’ me Ledrin. Tani, Dafina ka vendosur të provojë fatin në Amerikë; ajo ka njoftuar në prill se do të shpërngulet në Los Angeles, ku po punon për disa këngë me producentët amerikanë.
Aurela Gaçe
Këngëtarja nga Vlora u nis për në Amerikë në vitin 2002, pasi fitoi një sërë çmimesh në festivale dhe solli shumë hite që do të mbaheshin mend gjatë. Ajo do të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me motrën e saj të vogël, Blertën, e cila ka treguar se edhe pse ishin jashtë vendit, Aurela e ‘llastonte’ duke punuar sa për të dyja ndërsa Blerta vazhdonte studimet. Atje, Gaçe këndoi në shumë koncerte për komunitetin shqiptar në Amerikë e jo vetëm; në vitin 2004, ajo këndoi himnin shqiptar përpara Bill Clinton. Megjithatë, ajo vendosi të kthehej në vitin 2006, kur ishte e ftuar special në Festivalin e Këngës, duke u shfaqur në skenën shqiptare për herë të parë pas shumë vitesh.
Unikkatil
Kur Unikkatil mbajti një koncert në Prishtinë në 2012-ën, është pak të thuash se salla u mbush plot. Kjo sepse reperi i grupit TBA ka ruajtur gjithnjë një lloj misteri, duke qenë se jeton në Amerikë, në lagjen Bronx të Neë York-ut. Ai është larguar bashkë me familjen nga Kosova në kohën e luftës me Serbinë, dhe atje ka krijuar studion e tij të punimit të këngëve si edhe grupin e famshëm ‘The Bloody Alboz’ (Shqipet e përgjakura) të njohur si TBA. Emri i tij i vërtetë është Viktor Paloka.
Eli Fara
Një prej këngëtareve më të famshme të folkut shqiptar, Eli Fara, u largua për në Shtetet e Bashkuara duke u bërë qytetare amerikane e megjithatë, ajo u kthye përsëri në Shqipëri për koncerte në vitin 2007, e më pas u zhvendos përsëri këtu, së bashku me të bijën, Marinën. Lidhur me këtë Eli është shprehur se ndihet më mirë në vendin e saj, më e vlerësuar si këngëtare dhe më e mirëpaguar.
Genta Ismajli
Genta Ismajli ishte foshnje kur familja e saj u zhvendos në Amerikë. Por ajo nuk e humbi lidhjen me vendin e saj, dhe në moshën 19-vjeçare u kthye përsëri në Kosovë, ku do të bëhej menjëherë e njohur me këngën ‘Dridhem’. Edhe pse më vonë është përpjekur të hyjë në tregun muzikor amerikan, Genta është shprehur se nuk është aspak e thjeshtë të bëhesh pjesë e kësaj industrie. Ajo ka publikuar disa këngë me producentë të huaj, por pa mundur të përfshihet në top lista. Sidoqoftë, ajo ka një biznes familjar, një sallon makinash të babait të saj, çka e detyron që herë pas here të kthehet në Amerikë.
Lindita Halimi
Lindita Halimi shkoi në Amerikë për dashurinë që ka me reperin Big D, por edhe për të kërkuar suksesin. Ndonëse rruga e saj në American Idol nuk mundi të vijonte më tej, ajo vazhdon të qëndrojë atje me bashkëshortin e saj, pasi së bashku punojnë si instruktorë në një palestër. Ndërkaq, Linda po realizon disa këngë të reja me producentët amerikanë, pa e lënë pas karrierën muzikore.