Endi Demneri: Në Miss Universe kam shkuar me 28 fustane dhe 20 valixhe
Përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss Universe 2023”, Endi Demneri ka folur për eksperiencën e saj në konkursin e bukurisë. Demneri u shpreh se çdo gjë ishte shumë unike dhe se çdo hap që ka hedhur në skenë ka qenë një përjetim që ajo nuk e shpjegon dot me fjalë.
Ajo kishte marrë me vete 28 fustane që ia kishte përgatitur tezja, të cilat i kishte vendosur në 20 valixhe. Ashtu siç shprehet edhe Eduart Deda, producenti i njohur i “Miss Universe Albania & Kosova”, i cili ishte gjithashtu i ftuar në programin e sotëm, valixhet e Endit nuk kishin mbarim. Një fakt tjetër edhe më i habitshëm, është që ajo pati mundësinë t’i vishte të 28-ë fustanet. Madje sipas saj kjo gjë u vlerësua shumë.
Rudina Magjistari: Endi për ty, si ishte kjo eksperiencë? Çfarë solli në jetën tënde?
Endi Demneri: Unike, në çdo kuptim të fjalës unike. Çdo hap që kam hedhur në atë skenë ka qenë një përjetim që nuk e shpjegoj dot me fjalë. Kam menduar se, ngaqë vijmë nga një vend i vogël, por me vlera shumë të mëdha, normalisht, kam menduar se nuk do bënim shumë zhurmë. Kur kam ndaluar në aeroport, përveç se një historie të bukur që na ndodhi, që mund ta tregojë dhe Eduarti, kam parë që njerëzit atje ishin si ne. Një vend i vogël, El Savador-i, por me një dashuri shumë të madhe. U përshtata shumë, e shijova shumë dhe pata një vëmendje, që as vetë me të vërtetë, nuk e prisja. Dhashë maksimumin, tezja më ka përgatitur 28 fustane.
Rudina Magjistari: 28 fustane! I kishe me vete? Waw.
Eduart Deda: Rekord!
Endi Demneri: Kam pasur 20 valixhe.
Rudina Magjistari: 20 valixhe, 28 fustane me vete. Vetëm transporti i valixheve duhet të ketë kushtuar sa…
Eduart Deda: Nuk kishte mbarim, domethënë, makinë, uber pas uberi, nuk kishin mbarim valixhet e Endit. Dhe normalisht, këto gjëra atje të bëjnë të ndihesh më komfort, më konfidente me veten.
Rudina Magjistari: Pate mundësi t’i veshësh të 28-ë?
Endi Demneri: Normalisht që po dhe këtë vlerësonin, sepse në çdo moment unë kam qenë e para gati. Sepse Albania, unë kisha privilegjin të hapja spektaklin. E gjithë pesha binte mbi mua. Edhe më thoshin të gjithë: “që si ta nisësh ti, do vazhdojnë vajzat e tjera”. Dhe unë në çdo moment isha e para gati. Gjithë kohës qëndroja dhe ju thoja: “po patjetër, patjetër”. Për çdo herë kisha një veshje të ndryshme dhe ju ka bërë përshtypje sesi me të vërtetë Shqipëria ka ardhur dhe e ka përfaqësuar në mënyrë denjësore sivjet.