Ermal Meta anulon koncertin, zyrtari italian i kujton sërish varkën që e solli nga Shqipëria

Ermal Meta ka anuluar për arsye shëndetësore një koncert të turit të tij në Bianco, një qytet jugor në Reggio Calabria. Koncerti duhej të mbahej sonte më 14 gusht, por për shkak të problemeve me kordat zanore, këngëtarit shqiptar me shtetësi italiane, i është dashur ta anulojë duke bërë edhe një status të sjellshëm për të gjithë spektatorët. “Nuk do ishte e respektueshme të ngjitesha në skenë dhe të ndaloja në këngën e tretë”, ka shkruar ai. Statusin e ka mbyllur gjithsesi duke u angazhuar që do bëjë çmos për të vendosur një datë të dytë për koncert në qytetin jugor.

Edhe autoritetet vendase janë lajmëruar për këtë anulim nga menaxheri i Ermalit, por mesa duket nënkryetari i Bashkisë së Bianco-s nuk e ka besuar justifikimin shëndetësor për anulimin e koncertit dhe ka dalë me një status publik në Facebook, ku pretendon që Ermal Meta thjesht ka dashur të çlodhej sepse Bianco ishte shumë larg për të, “shumë në Jug, edhe më shumë sesa Shqipëria nga ka ardhur me varkë”, duke mbajtur kështu një qëndrim zyrtar si nënkryetar Bashkie. Duket sikur, duke dashur të mbrojë interesat e banorëve të qytetit të tij, nënkryetari i Bashkisë Pasquale Ceratti i ka prishur punë vetes.

Komentuesit i kanë përmendur atij detyrat e pakryera në Reggio Calabria dhe të tilla mund t’i numërohen çdo drejtuesi lokal, por është gjuha e përdorur në këtë status që ka ndezur zemërimin e italianëve dhe shqiptarëve. Ata e kanë quajtur këtë postim, “fashisht”, “racist” dhe shumë prej tyre kanë vënë në dukje gabimet drejtshkrimore që gjenden në këtë status.

Sigurisht është përgjigjur edhe Ermal Meta duke postuar të plotë në faqen e tij, statusin e nënkryetarit të Bashkisë së Bianco-s, i cili sipas përshkrimit është gjithashtu artist. Meta shkruan që do të kishte dashur të shihte këtë pasion të zyrtarit për çështje më të rëndësishme, si korrupsioni, derdhja e helmeve në det, apo groposja e tyre, vjedhja e parave publike etj. në vend të anulimit të një koncerti që larg e larg, më shumë dëmton vetë Ermalin. Në fund e mbyll me një ironi që kemi kuptuar që nuk i mungon. “I dashur nënkryetar, në varka mësohej si të përdoreshin shenjat e pikësimit, ta kisha ditur i kisha marrë mësimet me vete. Do të ishin dashur me siguri”, e mbyll statusin e tij Ermali.

Ndoshta sepse janë ndjekës të Ermalit, ndoshta sepse ndonjëherë të gjithë e kuptojnë kur dikush e tepron, komentet në faqen e Metës janë të gjithë mbështetëse për të. Gjatë këtyre javëve, Ermali ka qenë dhe vazhdon të jetë në një tur të ngjeshur në të gjithë Italinë.

Por Bianco…ishte pak problematike. Gjithsesi, ai vazhdon! /Class

SHKARKO APP