Ermal Meta nga Sanremo në ”hetim”
Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë pezulluar nga gara e Festivalit të Sanremos, “në pritje të thellimit të shqyrtimeve mbi atë që presupozohet si shkelje e rregullores së Festivalit nga kënga e tyre”, me titull “Non mi avete fatto niente”.
Organizatorët e Festivalit, që duket se kanë miratuar vendimin e drejtorit artistik Claudio Baglioni, kanë vendosur ta pezullojnë performancën e dy artistëve që parashikohej të bëhej mbrëmjen e sotme.
Mediet italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv.drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.
“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, do të shprehej fillimisht zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.
Në lupën e “hetimit” është vënë pikërisht ngjashmëria në një pjesë të tekstit, me këngën “Silenzio” të Ambra Calvanit dhe Gabriele De Pascalit, që u prezantua në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë, në vitin 2016. Edhe kjo këngë kishte për autor Andrea Febo, i njëjti që ka shkruar edhe tekstin e asaj të Metës dhe Moros.