Europa e vlerësoi me vendin e 3 në Eurosong, Shqipëria e refuzoi. Reagon Alketa: Ishte jashtë date

Në finalen e madhe të Eurovisionit, shqiptari që përfaqësoi Zvicrën fitoi votat e jurisë profesionale por u rendit në vendin e tretë. Në emisionin “ABC-ja e pasdites”, Gjon Muharremaj tha se do të kishte dashur të përfaqësonte Shqipërinë, por nuk i ishte dhënë mundësia në festivalin e këngës në RTSH.

“Më kërkuan këngën për 4 ditë, më thanë hajde apliko dhe pastaj më thërritën disa ditë më vonë dhe më thanë “Më fal Gjon, jeni 22 kandidatë dhe janë 20 vende, më fal që nuk të thashë më herët, kemi ardhur shumë vonë tek ty, kënga është frëngjisht. Po ça është edhe më e çuditshme më thanë do vish si i ftuar në Festival dhe nuk më ftuan, por s’ka problem”, tregoi Gjoni.

Moderatorja Alketa Vjesiu, e cila drejtonte festivalin e Këngës atë vit, e kontaktuar nga “Anabel.al” ajo ka theksuar se rregullat janë të njëjta për të gjithë.

“Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht. E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi”, ka thënë Alketa.

SHKARKO APP