Festivali i Sanremos. Monologu brilant i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët (VIDEO)

Alketa Vejsiu kapërceu kufinjtë dhe u bë epiqendra e natës së tretë të Festivalit Italian Sanremo. Në daljen e saj të dytë, Alketa zbriti shkallët me një fustan të kuq, ngjyra simbol e flamurit shqiptar, të krijuar nga stilisti shqiptar Valdrin Sahiti. Alketës i’u besua një monolog, të cilin e kishte mbushur me fjalë zemre dhe përjetime personale, tema e së cilës ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori”, u shpreh në fillim prezantuesja e mirënjohur që dhuroi spektakël më vete në Sanremo.

”Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglioni-t dhe [Adriano] Celentano-s ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret”.

Nga ana tjetër, Alketa tha se sot mund të duket absurde por asokohe ishin çmime që duhej të paguaje nëse jetoje në diktaturë. Ajo falenderoi Italinë, që mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve. ”Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktisët kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”.

Mes fjalëve që emocionuan publikun në sallë dhe bënë krenarë miliona shqiptarë që po ndiqnin anembarë botës festivalin, Alketa foli edhe për tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ”Tokën e Premtuar” në bregdetin përballë”. Teksa këndonte “Una lacrima sul viso”, në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.

 

Monologu i plotë i Alketa Vejsiut:

“Na ishte një herë një vend ku të dëgjoje Baglioni-n dhe Celentano-n ishte e ndaluar. Bëheshe armik i popullit. Mund të të kushtonte lirinë, mund të përfundoje në burg. Na ishte një herë një vend, ku të ishe bionde, ishe e dyshuar, sepse bionde ishte Raffaella Carrà. Na ishte një herë një vend, ku mësohej italishtja duke dëgjuar çdo minutë transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta ndiqnim fshehurazi, pasi kishim mbyllur mirë dyert dhe dritaret.

Duket absurde, por ky ishte vërtet çmimi që duhet të paguaje, nëse jetoje në vitet e diktaturës. Unë jam sot këtu për të thënë faleminderit. Faleminderit Itali, që mbajte ndezur ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse ju nuk na braktisët kurrë. Nuk e bëtë kur kishim nevojë, kur merrnim anijet për të kaluar kufirin, në mënyrë që të kishim, më në fund, mundësinë për të jetuar.

Faleminderit Itali, sepse na ke dhënë shumë. Ke ndriçuar rrugën tonë me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tënde. Nëse jam sonte këtu, në këtë skenë, është për të thënë faleminderit Sanremo, sepse për të gjithë ne që të kemi ëndërruar përtej detit, nuk je vetëm tempulli i këngës, por edhe një simbol. Një shembull integrimi, ku një djalë i ri, i nisur me anije, që zbarkoi këtu në Itali, realizoi atë që mund të dukej e pamundur, të fitonte festivalin. Ai djalë që është tanimë një emër i madh i muzikës italiane, quhet Ermal Meta. Me fitoren e tij në vitin 2018, ai ekzaltoi shpirtin dhe krenarinë e shqiptarëve.

Ne nuk bëjmë gjithmonë tifo për muzikën tuaj, por për gjithçka që ju përket.

Ne, edhe në botërorin e futbollit, sa herë që të kaltërit shënojnë gol, e shohim si një gol edhe për ne.

Muzika nuk i njeh kufijtë që ndajnë popujt dhe kombësitë.

Muzika nuk ndërton mure dhe nuk krijon diga.

Muzika nuk ka nevojë për pasaporta, flamuj, thjesht përhapet dhe i këndon dashurisë, ëndrrave, jetës dhe na mëson të fluturojmë.

Sot që vendi im është pjesë e familjes së madhe europiane, unë fluturova për këtu, për të qenë brenda ëndrrës sime.

E ndërsa flas, më vjen në mendje ajo vajza e vogël që pyeste të atin pse e donte kaq shumë një këngë që Bobby Solo e kishte kënduar këtu, “Una Lacrima sul viso”. Im atë më tregoi se teksti fliste për një lot që dilte nga një zemër e thyer që rritet e bëhet një det. Unë asokohe iu përgjigja me naivitetin e një fëmije: “Ah, ja pse loti është i kripur!” Për mua ai lot u bë metafora që la shenjë në fëmijërinë time, me tragjedinë e përsëritur të kanalit të Otrantos, që mori jetë njerëzish, të mbytur në shpresën e të gjeturit në kufi “tokën e premtuar”.

SHKARKO APP