Fjalimi prekës i Kanye: Për pak vramë vajzën tonë

Artisti Kanye West, ka dhënë një fjalim dramatik, ditën e djeshme (19 korrik) për fushatën e tij presidenciale në Karolinën e Jugut. Reperi foli për temën e diskutueshme te abortit, nëpërmjet një historie personale nga marrëdhënia e tij me Kim Kardashian. Me lot në sy, ai thotë: “Për pak vrava vajzën time.”

Në një moment, Kanye citoi Biblën, ku thotë: “Thou shall not kill” (Nuk duhet të vrisni). “Mbaj mend që e dashura ime [Kim], më thërriti duke qarë dhe unë thjesht mendoja, sepse në atë kohë isha një reper, me të dashura të ndryshme dhe gjithçka. . . dhe ajo tha: “Unë jam shtatzënë”, ndërsa unë i thashë vetëm “Po” shoqëruar me disa psherëtima.”

Ai vazhdoi: “Kim po qante prej muajsh, ne biseduam për mos ta lindur fëmijën. Ajo kishte pilulat në dorë”. Më pas, Kanye shton se i ndodhi një epifani fetare (një lloj iluminimi i papritur dhe të kuptuarit e gjërave) në apartamentin e tij në Paris, ku gruaja e tij kishte qenë më parë viktimë e një grabitjeje të armatosur. “Unë jam në apartamentin ku gruaja ime u grabit, kam laptopin dhe të gjitha idetë e mia kreative, kam veshur këpucët, kam thuajse gati këngën e re dhe në atë moment ekrani bëhet bardhë e zi. Zoti tha: “Nëse ju prishni vizionin tim, unë do të prish tuajin.” Në atë moment, marr gruan time dhe ajo më thotë: “Ne do ta lindim këtë fëmijë”, dhe unë i them të njëjtën gjë.

Dizenjuesi i Yeezy, sqaron se edhe nëse martesa e tij me Kim do të përfundonte, atëherë ai do të ishte përsëri i lumtur, pasi ajo solli në jetë fëmijën e tyre të parë, North. “Ajo e solli North në botë, kur nuk doja. Ajo u ngrit në këmbë dhe e mbrojti atë fëmijë.” Kanye zbuloi se edhe pse është kundër abortit, ai nuk do ta bënte atë ilegal dhe se do krijonte më shumë burime në dispozicion të grave dhe nënave që presin fëmijë, nëse do të zgjidhej President i Shteteve të Bashkuara.

“Aborti duhet të jetë i ligjshëm, sepse gjejeni çfarë? Ligji nuk është nga Zoti, pra çfarë është ligji?”

Kanye bëri gjithashtu disa komente të diskutueshme në lidhje me Harriet Tubman, heroinën që shpëtoi skllevërit në atë që njihet si “hekurudha nëntokësore” në vitet 1800. “Harriet Tubman në të vërtetë nuk i liroi skllevërit, ajo thjesht i detyroi të shkonin të punonin për njerëz të tjerë”, komentoi West.

Reperi lajmëroi për herë të parë synimet e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kundër Donald Trump dhe Joe Biden.

SHKARKO APP