Fjolla Morina flet për paragjykimet pas lindjes së vajzës

“Ka qenë e vështirë për mua, sepse kam qenë vetëm, e kam mbajtur Alaya-n vetë, s’kam pasur përkrahje prej një burri. Kam vendosur vetë ta mbaj dhe ta lind. Normal që ka qenë e vështirë për një femër të marrë një vendim në këtë mënyrë, por kam pasur edhe përkrahjen e mamit…” – tregon Fjolla Morina në programin “Rudina”, pas vendimit për ta lindur dhe rritur vetë vajzën e saj të dytë, Alaya.

E transferuar në Tiranë prej disa javësh për pjesëmarrjen e DWM, Fjolla tregon se gjatë kësaj periudhe e ka ndihmuar shumë e ëma, e cila i ka qëndruar afër në çdo kohë. Por, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, nuk kanë qenë të pakta komentet që kanë vërshuar në portale e media online për shtatzëninë e këngëtares, sidomos pas përplasjes fizike që ajo pati në Prishtinë ish-partnerin, të atin e Alaya-s: “Ka pasur shumë komente, nga portale të ndryshme, janë shkruar gjëra që nuk kanë qenë ashtu në të vërtetë, por unë nuk kam dashur t’i shoh… Nuk kam dashur ta mërzis veten gjatë asaj periudhe”, – tregon Fjolla.

Por sado indiferente të përpiqesh të tregohesh, gjatë shtatzënisë të gjitha femrat janë më të ndjeshme. Këtë e konfirmon edhe vetë Fjolla. Pavarësisht se e gjithë shtatzënia për të nuk ka qenë e lehtë, sepse ishte e vetme, ajo sërish ka qenë e sigurt për vendimin e saj. Megjithatë, mes shumë muajve në presion, ajo tregon se koha kur lindi vajzën ishte më e vështira: “Momenti më i vështirë ka qenë kur kam lindur. Në spital kam pasur vetëm një shoqe. Ajo ka qenë në dhomë me mua në lindje. Isha larg dhe ishte pak problem, se as mami nuk mund të më vinte. Ajo ka qenë periudha më e vështirë….”

Ndërsa për paragjykimet, para dhe pas lindjes, Fjolla në asnjë moment nuk e ka bërë veten fajtore: “Nuk e kam ndier veten fajtore apo keq…. Thjeshtë kam dashur ta lind Alaya-n dhe jo si shumë të tjera që bëjnë aborte. Unë jam kundër abortit. Fëmija është gjë shumë e madhe në jetë dhe asnjëherë nuk është pengesë për asgjë në botë. Është një gabim që njerëzit e thonë, por nuk është aspak kështu”, – tregon Fjolla.

SHKARKO APP