Florian Agalliu rrëzohet për Çiljetën në “Tu Si Que Vales Albania”
‘Tu Si Que Vales Albania”, spektakli i talenteve të mëdha, që çeli siparin këtë të enjte në ekranin e “Vizion Plus”, solli për të dytin vit radhazi një galeri të gjerë personazhesh, të cilët shpalosën potencialin e tyre në fusha të ndryshme përpara jurisë dhe publikut që i ndiqte. Risi e këtij edicioni ishin prezantuesit, një dyshe e komentuar shumë mbrëmë.
Florian Agalliu dhe Çiljeta Xhilaga ia dolën mbanë në çdo minutë, duke sjellë situata spontane dhe batuta që sollën reagime tek i gjithë publiku. Këngëtarja Xhilaga përveçse për prezantimin, mori vëmendje edhe me fustanin e saj rrjetë, që i vinte në pah linjat e saj fizike, ndërsa Flori për kërcimin i zhveshur dhe për rrëzimin në fillim të spektaklit kur pa Çiljetën. Në poltronët e jurisë qëndruan të ulur për të dytin vit rresht, producentja Holta Dulaku, artisti Agron Llakaj dhe mezosopranoja Vikena Kamenica, e cila përfaqëson vullnetin e publikut në këtë spektakël. Për herë të parë, pjesë e panelit u bë rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, i cili qëlloi në shenjë që me daljen e parë.
16 konkurrentë nga Shqipëria dhe vende të tjera të Europës sollën përpara publikut performanca mbresëlënëse nga numrat e forcës, tek ato me zjarr, apo edhe të tjera interpretime në këngë, akrobaci, hip-hop, beatbox, instrumente, etj. Performanca më e komentuar ishte ajo e një djali nga Shkodra, Safet Plangaj, i cili i kishte humbur këmbët kur ishte vetëm 8 muajsh dhe megjithatë, solli një numër mjaft interesant mbi paralele, duke dhënë veç të tjerash edhe një mesazh shprese me buzëqeshjen që nuk i ikte nga fytyra. Java e ardhshme pritet të sjellë të tjera surpriza, madje zëra pranë produksionit të “Tu Si Que Vales Albania” thonë për “Bluetooth” se javën e ardhshme do të shfaqet në spektakël komediani i famshëm britanik, Rowan Sebastian Atkinson, i njohur nga të gjithë si Mr.Bean. (Bluetooth)