FOTO/ Flet Leo Gjugja, ‘Mister Gjermania 2017’
Me fitimin e këtij titulli, Leo do të përfaqësojë Gjermaninë në “Mister World 2017”.
Leotrim Gjugja është 19 vjeçar i lindur në Cyrih të Zvicrës. Me prejardhje është nga Gjakova. Në konkursin “Miss & Mister Gjermania 2017” Leo zuri vendin e parë dhe u shpall djaloshi më i bukur në Gjermani. Njëkohësisht, ai është edhe shqiptari i parë që fitoi këtë titull kaq të rëndësishëm.
Në Cyrih e kishte filluar shkollimin për modë dhe dizajn, ndërsa prej kohësh ai është vendosur në Dyseldorf të Gjermanisë për t`i vazhduar studimet. Me fitimin e këtij titulli, Leo tashmë do të përfaqësojë Gjermaninë në “Mister World 2017”.
Pas marrjes së çmimit, ai ishte prezent në media të shumta shqiptare dhe gjermane, ndërkohë ditë më parë ishte edhe pjesë e jurisë në “Top Model Gjermania 2017”.
Për të mësuar më shumë për jetën dhe të ardhmen e mashkullit më të pashëm në Gjermani, lexojeni intervistën e realizuar nga “albinfo.ch”.
Albinfo.ch: Leo, urime për çmimin si djaloshi më i bukur në Gjermani apo “Mister Deutschland”. Si po ndihesh të mbash titullin e më të bukurit të Gjermanisë?
Leo Gjugja: Vërtet është një ndjenjë e papërshkrueshme. Ka qenë një befasi e këndshme, të zgjidhesh më i bukuri në një vend siç është Gjermania. Është një fat për mua, aq më tepër më bën të ndihem mirë që një shqiptar arriti për herë të parë të fitojë këtë titull në Gjermani. Ky çmim për mua është shumë i rëndësishëm. Që tash më janë hapur dyer të reja rreth ardhmërisë sime dhe drejt realizimit të ëndrrave të mia.
Cila është ëndrra jote?
E rëndësishme është që tani për tani të shijoj këtë çmim që kam fituar e pastaj të vazhdoj me synime të tjera për të ardhmen dhe karrierën time.
Ju jeni lindur në Zvicër, ndërsa jetoni në Gjermani. Çfarë ju shtyri të merrni pjesë në këtë garë të bukurisë?
Bota e modelimit dhe e spektakleve të bukurisë ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja. Mirëpo, për ta shijuar këtë ëndërr me ka ndihmuar familja ime e veçanërisht babai im. Ka qenë ai dhe shoqëria ime të cilët më kanë inspiruar dhe më kanë sugjeruar të marr pjesë në këtë spektakël.
A je marrë edhe me herët me modelim? Cila është eksperienca jote në fushën e modës?
Që në fëmijëri jam marrë me modelim, ndërsa paraprakisht jam shkolluar për modelim edhe në Zvicër.
Pse u shpërngulët nga Zvicra për të jetuar në Gjermani?
Arsyeja e shpërnguljes kanë qenë studimet. Në Gjermani kam vendosur të vazhdoj studimet në fushën e modelimit.
Tash ju do të përfaqësoni Gjermaninë në “Mister World”. Kur dhe ku do të mbahet spektakli dhe sa jeni përgatitur?
Unë tashmë kam filluar përgatitjet për këtë garë që do të jetë një sfidë jo e lehtë për mua. Megjithatë unë do të jap maksimumin në këtë drejtim. Mbetet të shihet gjatë ditëve të ardhshme se kur do të mbahet kjo garë botërore.
Me prejardhje je nga Gjakova e Kosovës. Së fundmi edhe ke vizituar Kosovën ku ke pasur edhe intervista të shumta. Si u prite në Kosovë dhe sa shpesh e viziton?
Menjëherë pas marrjes së titullit, bashkë me familje kam vendosur ta vizitoj Kosovën. Ka qenë një ndjenjë e bukur. Jam pritur shumë mirë dhe isha krenar që arrita ta sjell këtë çmim në Kosovë. Po ashtu një takim mbresëlënës ishte edhe ai me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, me të cilin u takuam në Kolmar të Francës.
Të kthehemi edhe një herë të spektakli. Na trego të vërteten se kush ta ka uruar i pari fitoren dhe cili ka qenë mesazhi më i bukur që ke marrë?
Pas fitores së çmimit “Mister Gjermania 2017”, kam marrë urime të panumërta. Në sallë kisha familjen time dhe miq të familjes. Po ashtu, për të më përkrahur, kishte ardhur enkas nga Zvicra edhe këngëtarja e njohur Shkurte Gashi, e cila ka qenë edhe ndër iniciatoret e para që më ka shtyrë të marr pjesë në këtë garë. Ndërkohë, për të mos i ikur pyetjes suaj, e para që më ka uruar ka qenë vajza që ka marrë titullin “Miss Gjermania 2017” e pastaj familja dhe shoqëria.
Zvicra, Gjermania apo Kosova, cili vend i ka femrat më të bukura?
Femra të bukura ka kudo, por padyshim se vajzat në Kosovë janë shumë të bukura.
Tani që je shpallur edhe “Mister Gjermania” sigurisht se ke oferta të shumta nga vajzat. A ka arritur ende ndonjë vajzë që t`ia “vjedh” zemrën Leos?
Jo, ende asnjëra (qesh). Jam i fokusuar në karrierën time, por kjo nuk do të thotë se përgjatë kësaj rruge të mos e gjej fatin e jetës.
Çfarë duhet të këtë një femër për të qenë personi i zemrës për ju?
E bukur, e mençur dhe e çiltër. Këto janë cilësitë që i pëlqej tek një femër.
Çka mendon që juria pëlqeu më shumë tek ti se sa te kandidatet tjerë?
Mendoj se juria tek unë vlerësoj natyralitetin tim, pra fizikun natyral.
Planet për të ardhmen tuaj dhe ku do të jetoni?
Planet e mia tashmë janë studimet në fushën e modelimit, pjesëmarrja ime në “Mister World 2017”, dhe shumë reklama për kompani të ndryshme. Unë, tash jam vendosur ne Gjermani për të jetuar, por të ardhmes nuk i dihet, varet si e kërkon profesioni.