Geti tregon a ka qenë në lidhje me Elvana Gjatën
Pak ditë më parë, një portal publikoi një foto ku reperi i njohur, Getoar Selimi, shfaqej në shoqërinë e një vajze. Meqë bëhej fjalë për një foto të vjetër, thuhej që aty ishte Geti me Elvana Gjatën, pasi sipas tyre, vite më parë ata kanë qenë të dashur.
Kaq ka mjaftuar dhe të gjitha portalet dhe mediat online u mbushën me këtë lajm. Duhej thënë se amplifikimi mund të jetë bërë edhe i qëllimshëm, duke mos e besuar as ata vetë, pasi dihet, titulli i lajmit shkaktonte kuriozitet dhe si pasojë edhe shumë klikime. Pra, nëse dikush mund të ketë ngatërruar foton e një vajze me Elvanën, kjo nuk e besojmë se u ka ndodhur të gjithëve.
Nuk diskutohet që këtu bëhet fjalë për dy këngëtarë shumë të famshëm dhe lajmi nuk mund të linte indiferent askënd, por duke qenë totalisht i pabazuar, mbase kjo ndihmon që në të ardhmen njerëzit të bëhen më selektivë mbi portalet që zgjedhin për t’u informuar.
“Panorama plus” kërkoi të mësonte më shumë për këtë histori, dhe mësoi se vajza në foto, e cila i ngjan pak Elvanës, quhet Hana Shehu, me të cilën Getoari ka pasur dikur lidhje. Duke dashur që ta zbardhim këtë histori, nëse ka diçka për të zbardhur, ne tentuam të pyesim vetë protagonistët. Arritëm të marrim vetëm prononcimet e Getoarit.
“U mësuam tashmë të lexojmë gjithçka mbi jetën tonë. I pres me qetësi se kam punë më të rëndësishme për të bërë, u shpreh Geti i pyetur për lajmin e lidhjes së tij me Elvanën.
“Unë jam një nga personazhet publikë me jetën private më transparente që mund të ekzistojë. Nuk i kam mbajtur fshehur të dashurat që kam pasur, i bindur se nuk po bëja ndonjë krim. Por ama, jeta profesionale ka qenë tjetër gjë. Me Elvanën kemi pasur marrëdhënie profesionale. Patëm bërë një këngë bashkë, që në atë kohë u bë hit, dhe marrëdhënia jonë mbeti vetëm e tillë. Jam i lumtur për sukseset e saj, sepse është një vajzë e talentuar”, shtoi ai kur u pyet direkt për Elvanën.