Gëzimi u shndërrua në tmerr, pas 1 viti flet nusja e Bejrutit: Nuk më pëlqen si term, më kujton ditën e errët

Ajo do të ishte dita më e lumtur, pasi kishte dasëm, por u kthye në ditë zie. Nga shpërthimi katastrofik në Portin e Bejrutit vitin e kaluar, dasma e Israa Al-Seblani e cila u bë e njohur si nusja e Bejrutit nuk u bë. Më 4 gusht të vitit 2020, Al-Seblani, një mjeke në profesion kishte ceremoninë martesore me të fejuarin e saj biznesmenin Ahmed Sobeih.

E veshur me fustanin e saj të bardhë dhe duke pozuar fotografi në një nga sheshet më të bukur të Bejrutit, momentet e gëzueshme të saj papritur u prishën nga shpërthimi i Portit të Bejrutit që shkaktoi tronditje përtej qytetit. Sa hap e mbyll sytë, ngjarja e gëzueshme e regjistruar nga kameramani i saj, Mahmoud Al-Naqeeb, u shpërnda duke u shndërruar në një moment paniku dhe terrori.

Një vit më vonë, çifti rrëfen se ende nuk kanë harruar kujtimet e asaj dite. “Dita gjithmonë më shoqëron. Është një kujtesë kolektive që do të mbetet e mbërthyer në mendjet e të gjithë qytetarëve”, tha Al-Seblani. Edhe pse Nusja e Bejrutit, ngjan një emër tejet i veçantë ajo shprehet se nuk i pëlqen sepse i kujton “ditën e errët” që rrafshoi Bejrutin dhe që anuloi dasmën e saj.

Ndërsa bashkëshorti shprehet se për askënd në Bejrut jeta nuk mund të jetë më njësoj. “I gjithë populli libanez nuk do ta harrojë atë ditë. Dasma jonë duhej të ishte një nga ditët më të lumtura në jetën tonë, por u shndërrua në një shenjë tragjike trishtimi për ne dhe për të gjithë Libanin”, tha Sobeih.

Sipas tij, jeta në Liban është përkeqësuar pas shpërthimit, por shprehu besimin e tij në aftësinë e vendit për rimëkëmbje dhe që njerëzit të qëndrojnë të palëkundur për një të nesërme më të mirë. Për mediat turke, çifti zbuloi planet e tyre për t’u zhvendosur në SHBA ose Kanada pasi të përgatiten dokumentet e tyre me shpresën për një të ardhme më të mirë. Deri më sot, jeta në Bejrut nuk është kthyer në normalitet.

SHKARKO APP