Gjëja më e trishtë dhe e vetme tek “Festivali i Këngës”
Ndryshe nga ç’ndodhte zakonisht, kur u njoftua se drejtimi artistik i Festivalit të Këngës në RTSH do t’i besohej Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, njerëzit patën interes. Ajo që nisi si vëmendje ndaj dyshes që ka prodhuar ose përshtatur prej kohësh formula të suksesshme, u pasua nga një tjetër interes, këtë herë për këngëtarët. Emra të njohur dhe aktivë në muzikë momentalisht si Elvana Gjata, Arilena, Era Rusi, Olta Boka etj, ngjallën interes te publiku, sigurisht edhe polemika për fituesin e pretenduar. Më tepër sesa për Festivalin, flitej për këngëtarët më shumë, gjë që dukej edhe nga videoja prezantuese e konkurrentëve, e ngjashme me atë të X Factor apo “Dance with me”. Megjithatë duhet thënë se për herë të parë, të paktën në këtë dekadë, njerëzit kanë interes edhe për këngët.
Nëse i referohemi klikimeve online, për herë të parë një këngë e Festivalit të RTSH-së arrin afro 1.5 milion klikime, “Me tana” e Elvana Gjatës. Këngë të tjera numërojnë gjithashtu shifra rekord për RTSH-në, si “Shaj” e Arilenës, “Eja Merre” e Era Rusit etj. Nuk bëhet fjalë vetëm për klikime. Ndryshe nga edicionet e kaluara, ku për hir të së vërtetës zor se numëroheshin këngë po aq të mira sa ajo fituese, këtë herë ka disa projekte interesante: Kanita, Albërie Hadërgjonaj, Valon Shehu, Kastro Zizo, Wendi Mancaku, Bojken Lako, Kamela Islamaj, Aldo Bardhi apo Renis Gjoka kanë gjithashtu këngë profesionale, përpos atyre që përfliten si konkurrentë të fortë.
Përveç drejtimit artistik të Grabockës dhe Vejsiut, që nisur nga përvoja kanë ditur ç’të përzgjedhin, vlen të theksohet edhe pjesëmarrja e Florent Boshnjakut si producent muzikor. Njeriu që solli një kompozim si “Suus”, kënduar mjeshtërisht nga vokali fantastik i Rona Nishliut, që është deri tani kënga shqiptare më e suksesshme në Eurovizion (në vendin e pestë) sigurisht që do të vendosë një tjetër standard në këtë edicion të Festivalit të Këngës. Standarde të tilla, qoftë në artistë, qoftë në këngë vendosen rrallë dhe kjo është e trishtë. Shpresojmë që në të ardhmen, festivali kombëtar të ndjekë të njëjtat standarde si ky i këtij viti, që për herë të parë në një dekadë të tërë, solli disa këngë të suksesshme, mjaftueshëm sa për një CD. /Anabel/