Grishaj flet për rolin e Tinka Kurtit te filmi “Sofia”
Regjizori Eduart Grishaj ka realizuar filmin e tij më të fundit “Sofia” e cila përfshin dy kohë, dy gra gra një histori që lidhej me emrin e Sofisë. Një vajzë e re serbe viziton Shqipërinë për të kërkuar rrënjët e një historie të vjetër të gjyshit të saj gjatë luftës të vitit 1941. Paralel ecin dy kohët me ngjarjet mbartin, ndërkohë që vetë vajza bie në dashuri me djalin shqiptar, duke filluar një marrëdhënie në dukje të pamundur për shkak të mendimit që kanë dy kombet për njëri-tjetrin.
Regjisori Eduart Grishaj është kujdesur që në fund dashuria të triumfojë e po ashtu të tregojë forcën e gruas për të marrë vendime të mençura në kohë të vështira. Sikurse dhe Sofi Lekja e cila u gjend përpara faljes së vrasësit të djalit të saj.
Për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Eduart Grishaj ka ndarë emocionet dhe detaje nga xhirimet e këtij filmi.
Orinda Huta: Ka patur surpriza gjatë xhirimeve?
Eduart Grishaj: Kam pasur një rol ndryshe për të bërë me Tinka Kurtin, kam pasur një hapësirë shumë më të madhe me Tinkën, kemi punuar shumë kohë më përpara. Kur shkuam atje, nga lodhja e saj ishte shumë e vështirë që ne ta bënim atë rolin që unë isha nisur ta bërë në fillim. Pas orëve shumë të gjata të xhirimeve, unë vendosa që për Tinkën duhet bërë një rol më i vogël se ai që unë e kisha menduar.
Orinda Huta: Të mërziti kjo gjë?
Eduart Grishaj: Po shumë u mërzita sepse ishte një vendim shumë i vështirë. Unë i ndryshova rolet në momentet e fundit. Mosha e Tinkës nuk e përballonte dot gjithë atë ngarkesë që unë kisha menduar për atë, unë bëra përpjekjen që të jetë në pjesën që ajo e bën shumë mirë. Sepse vinte dhe nga një ngjarje e veta personale, nga një humbje që ka pasur të të birit dhe përjetimi i saj ishte shumë real.
Tinka para se të futeshim të bënim këtë rolin, ishte shumë e entuziazmuar, ishte shumë e lumtur në atë moment, sepse i pëlqente bjeshkët, por mua nuk më duhej Tinka e lumtur tek ky rol dhe çfarë bëj unë? Unë zgjas xhirimet, unë doja që ta mërzisja Tinkën dhe ajo të lodhej shumë. Një teknikë që duket e pa drejtë nga ana njerëzore, por nga ana profesionale i shërben filmit.
Tinkën e kam lënë të presë 6 orë dhe ajo u mërzit aq shumë sa erdhi një moment dhe më tha Edi unë nuk e bëj më këtë gjë dhe do iki. Kur është futur për ta bërë atë, ishte shumë e mërzitur me mua dhe e shfryu të gjithë atë mllefin që e kishte dhe roli i saj doli fantastik.
Orinda Huta: Ka pasur edhe emocione besoj gjatë xhirimeve.
Eduart Grishaj: Kur e xhiruam për herë të parë atë pjesën që komandanti jugosllav shkon dhe qan mbi të vdekurin, unë nuk kuptoja asnjë fjalë serbisht, si unë ishin pjesa më e madhe dhe u prekëm jashtëzakonisht shumë vetëm nga loja që po i bënte ai, nga aktrimi që po i bënte edhe pse nuk kuptonim fjalët. Ishte hera e parë që më ndodhte.