Helen Mirren për Parker Los Angeles Times: “Kam pasur një karrierë që duket jashtëzakonisht me fat, sfiduese, e pamundur”
Mbretëresha e Hollivudit është jashtëzakonisht gazmore!
Helen Mirren bën shaka se Golden Globes i kanë dhënë “dy topa të mëdhenj” teksa pranon Çmimin Cecil B. DeMille në ceremoninë e vitit 2026.
Helen Mirren dëshmoi edhe një herë pse mbetet një nga figurat më të guximshme dhe më të dashura të Hollivudit, duke ndërthurur hijeshi, sinqeritet dhe një batutë të goditur në momentin e duhur.
Gjatë mbrëmjes speciale “Golden Eve” për Çmimet Golden Globe 2026, të mbajtura në hotelin Beverly Hilton në Los Anxhelos dhe të transmetuara më 8 janar në CBS, aktorja legjendare pranoi Çmimin Cecil B. DeMille, që nderon një karrierë të jashtëzakonshme shumëdekadëshe në film. Dhe e bëri këtë me një humor aq të mprehtë sa rrëmbeu vëmendjen e gjithë mbrëmjes.
“Golden Globes kanë mbajtur gjithmonë një copëz të vogël të zemrës sime,” u tha Mirren të pranishmëve, duke kujtuar se kjo ishte organizata e parë në Amerikë që njohu punën e saj. Ajo rikujtoi fitoren e Globe-it të saj të parë në vitin 1996 për Losing Chase, një interpretim që, sipas saj, kishte kaluar pothuajse pa u vënë re në atë kohë.
“Ata vunë re këtë film të vogël, të vogël fare, të cilit askush tjetër nuk i kushtoi vëmendje,” tha ajo, “dhe më dhanë një trofe të artë të mrekullueshëm. Pastaj e pasuan me një tjetër, kështu që tani, me krenari, zotëroj dy topa shumë të mëdhenj, të cilët, siç mund ta imagjinoni, bënë mrekulli për karrierën time.”
Salla shpërtheu në të qeshura.
Në moshën 80-vjeçare, Dame Helen mbetet po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërmbajtur sa gjithmonë – një tipar që e ka përcaktuar karrierën e saj po aq sa edhe talenti. E martuar me regjisorin Taylor Hackford që nga viti 1997, Mirren e bëri të qartë se qëndrueshmëria e saj në Hollivud nuk ka qenë kurrë një rrugëtim i vetëm, duke falënderuar me elegancë bashkëpunëtorë si Will Smith, Ryan Reynolds, Al Pacino dhe Bruce Willis.
“Çmimi DeMille përshkruhet si një njohje e një karriere,” vijoi ajo. “Por unë preferoj ta shoh si një jetë të jetuar – një jetë të mbijetuar, një jetë të shijuar, një jetë plot punë të palodhur – dhe, shpresoj, një jetë që vazhdon ende.”
Një tjetër figurë që e njeh mirë këtë rrugëtim është Harrison Ford, i cili prezantoi Mirren-in dhe kujtoi bashkëpunimin e tyre të parë në The Mosquito Coast (1986), e më pas, dekada më vonë, në 1923.
“Kishim tre fëmijë të adhurueshëm,” bëri shaka Ford për rolet e tyre të hershme. “Skenari kërkonte që të gjithë ta thërrisnin Helen ‘Mother’. Dyzet vjet më vonë, u gjenda sërish duke punuar me të, kur Taylor Sheridan e përzgjodhi për 1923. Unë isha thjesht shtesa.”
Mbrëmja mbarti një ndjesi të fortë trashëgimie. Në tapetin e kuq, Mirren shprehu admirim të sinqertë për faktin se po rreshtohej përkrah fituesve të mëparshëm të Çmimit Cecil B. DeMille, si Barbra Streisand, Walt Disney dhe Sidney Poitier.
“Historia është marramendëse,” i tha ajo Entertainment Tonight. “Është vërtet e jashtëzakonshme.”
Ajo theksoi gjithashtu se sa domethënës ishte ky vlerësim për të, si një artiste që nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara.
“Kur nuk je nga këtu, kur nuk flet me theks amerikan, momente të tilla janë jashtëzakonisht dhe thellësisht të veçanta,” tha Mirren. “Është një bujari e madhe nga Amerika dhe nga kjo industri të mirëpresë talente nga çdo cep i botës.”
Ky ndjesim u përforcua edhe nga Sarah Jessica Parker, e cila gjatë së njëjtës ceremoni mori Çmimin Carol Burnett për Arritje Jetësore në Televizion.
“Kam pasur një karrierë që duket jashtëzakonisht me fat – sfiduese, e pamundur,” i tha Parker Los Angeles Times. “Kam punuar me gjigantë dhe zëra të rinj, dhe kam pasur privilegjin të jetoj jetë shumë të ndryshme nga e imja.”
Për Mirren-in, fituese e gjashtë çmimeve Golden Globe, ky vlerësim ishte më shumë sesa një trofe, ishte një çast reflektimi.
“Të detyron,” tha ajo, “të kthehesh pas në 52 vite dhe ta nderosh vërtet rrugëtimin.”
Dhe duke e njohur Helen Mirren, ky rrugëtim është larg së qeni i përfunduar.
Përgatiti: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

