Ish-pjesëtarja: Pussycat Dolls një rrjet prostitucioni

Uragani i skandaleve të dhunës seksuale në botën e artit në Shtetet e Bashkuara zgjerohet gjithnjë e më shumë dhe del përtej kinematografisë.

Një ish-pjesëtare e “Pussycat Dolls” deklaroi se në vitet që ajo ishte pjesë e kësaj bande muzikore, grupi i vajzave shërbente si një “rrjet prostitucioni dhe detyroheshin nga shefat e shtëpive diskografike të kryenin seks me ta”.

Kaya Jones, 33 vjeç, i bëri këto deklarata shpërthyese në një seri postimesh në Twitter, që nisën të shtunën dhe u mbyllën ditën e dielë.

“E vërteta ime! Nuk kam qenë ndonjëherë në një grup muzikor të përbërë nga vajza, por në një rrjet prostitucioni. Oh, po ne këndonim dhe ishim të famshme, ndërsa ata që na “zotëronin” bënin paratë”, ishte postimi i parë i saj.

“Kaq keq ishte?- më pyesin njerëzit. Ishte aq e tmerrshme sa unë u largova nga ëndrrat, nga mikeshat e mia të bandës dhe nga 13 milionë dollarë”, vazhdon ajo më tej.

33-vjeçarja shkruan se ka folur që në 2004, në 2005 dhe në 2007 dhe se është kërcënuar me jetë dhe me përfundim të karrierës. Ajo i referohet edhe vetëvrasjes së këngëtares Simone Battle të grupit G.R.L, ngjarje e ndodhur në vitin 2014 dhe thotë se ka qenë pikërisht dhuna seksuale e psikologjike ajo që e ka shtyrë vajzën në vetëvrasje.

Kaya Jones u bashkua me “Pussycat Dolls” në vitin 2003, kur ishte adoleshente. Në vitin 2005 u largua prej bandës.

Ndërkohë, themeluesja e grupit, Robin Antin hodhi poshtë pretendimet e 33-vjeçares, duke i quajtur “gënjeshtra qesharake dhe të lemeritshme”.

Antin themeloi bandën e famshme në vitin 1995 dhe gjatë viteve, përveç saj, të gjitha anëtaret e tjera janë ndryshuar. Anëtarja më e famshme e bandës është Nicole Scherzingger.

/ TCh

SHKARKO APP