Jeta, pasioni për sportin dhe dashuria
Në një rrëfim të rrallë, ish-futbollisti Erjon Bogdani ka treguar në “Pasdite në Top Channel” sesi i nisi karriera e një futbollisti, që ka lënë gjurmë në Kombëtaren shqiptare.
“U bënë gati 30 vite që luaj futboll, por para 4 vitesh unë u largova dhe tani kam marrë një detyrë tjetër. Si trajner i Kombëtares U19 është një gjë e jashtëzakonshme, është një detyrë e re dhe do jap maksimumin. Tani mund të them se jam më mirë në drejtim. Jam shumë i kënaqur, është një detyrë që do kohë, kemi objektiva të njëjta, pasi duam të sjellim më shumë futbollistë. Gjasat janë të mira dhe duam ta sjellim sa më mirë”, thotë ish-bomberi kuqezi.
Në bisedë me Jonida Shehun, Bogdani tregoi sesi u bë futbollist. “Pasioni im për futbollin nisi që i vogël, nga mosha 7 vjeç merrja pjesë në të gjitha garat e shkollës, isha tip sportiv. Në shkollën ‘Avni Rustemi’ isha në klasat sportive. Ku ishte sporti, isha unë gjithmonë. Familja ime, që e falënderoj pasi më ka qëndruar afër, më thoshte gjithmonë: është shkolla e pastaj futbolli. Shumë pak dilnin e bënin karrierë me futbollin. Ishte një periudhë e vështirë, pasi kisha përplasje me babain, isha shumë mirë në futboll, punoja shumë dhe kur kthehesha në shtëpi vija i lodhur dhe nuk kisha kohë të mësoja. E vuajta shumë shkëputjen nga futbolli, prej rreth një viti, dhe kur vajta te gjyshi, i cili bindi babain të kthehesha në futboll, u ktheva në shtëpi pasi gjyshi kishte folur me babain dhe ai më dha leje të vazhdoja. Isha pjesë e Kombëtares që në moshën 7-vjeçare, pas disa vitesh që luajta me Partizanin, shkova në Turqi, por erdha në Shqipëri pastaj sepse atje nuk arrita rezultatet që doja.
Megjithatë pas çdo historie ka edhe një fund, që për një futbollist nuk është e lehtë. “Është e dhimbshme të lësh futbollin, megjithatë nga eksperienca ime është e mirë që futbollisti ta lërë futbollin dhe jo e kundërta. Unë e lashë në moshën 36-vjeçare në ekipin e Sienës. E lashë pasi e ndieja që një ditë do e lija. Tani i kam gjërat shumë në rregull, mbarova kurset e trajnerit. Atyre u përcjell të njëjtin pasion”, tregoi Bogdani në “Pasdite në Top Channel”.
Ndërkohë, ai ka këndvështrimin e tij edhe për zëvendësimin e trajnerit të Kombëtares. “Këto krahasime është e vëshirë t’i bëjmë tani. De Biasi e mbylli me një fitore kundër Izraelit, ne morëm pjesë në kampionatin europian. Federata na ka krijuar kushte që të ecim përpara. Panucci do të vazhdojë në rrugën e De Biasit, ai ka marrë një rrugë të vështirë dhe do ta bëjë të eci. Shqipëria do të dalë mirë”, tha me optimizëm Bogdani.
Italia, përveç karrierës si futbollist, i dha Bogdanit edhe dashurinë. “Është e vërtetë që Italia, përveçse luajta futboll atje, gjeta edhe pjesën time, bashkëshorten time. Kemi një fëmijë që quhet Aleksandër. Duke jetuar në Itali, pasi jeta ime ishte vetëm atje, dhe duke qëndruar atje u njoha me nusen time. U njohëm në një lokal, pasi ajo ishte mikeshë e një mikut tim. Avokate me profesion, ajo u prezantua, por në Itali kanë dy gjëra: futbollin dhe kishën. Futbollistët i njohin të gjithë”.
Ndërkohë, familja e ish-sulmuesit kuqezi u përshtat mjaft shpejt me idenë e një nuseje italiane për djalin e tyre. “Familja ime më mbështeti edhe në këtë vendim që mora. Rosela u përshtat me familjen, edhe pse shqipja është pak e vështirë. Edhe djali kur vjen e gjen terrenin gati, pasi flasin të gjithë italisht. I flet fjalët gjysmë italisht, gjysmë shqip”, tregoi Bogdani në “Pasdite në Top Channel”.
E sa i përket planeve për të birin dhe nëse do të jetë edhe ai pjesë e futbollit, Bogdani tha: “Dëshira ime dhe e nuses është të vazhdojë shkollën. Ai dy herë në javë shkon në shkollën e futbollit edhe pse kur jam i lirë e shoqëroj, e marr me vete, unë dua që të jetë sa më mirë. Nëqoftëse ka pasion futbollin, le ta ndjekë, nuk dua t’i ngatërrojmë me pasionet tona”, tha ai.
Duke pritur sfidën e Kombëtares sonë me Maqedoninë, Bogdani parashikon një fitore të djemve kuqezi me rezultatin 2-1. “Uroj që Kombëtarja të na dhurojë emocione”, u shpreh ai në “Pasdite në Top Channel”.