Johnny Depp kërcënon presidentin Trump

Aktori i njohur hollivudian Johnny Depp shkaktoi polemika kur me shaka sugjeroi se ai e mbështet vrasjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Nga qyteti i Glastonbury në Angli, Depp iu drejtua fansave në një festival të përvitshëm muzikor.

“Kur ishte hera e fundit që një aktor vrau një president?” pyeti aktori ndërkohë që fansat rreth tij brohorisnin për të.

“Dua ta sqaroj, nuk jam aktor. Unë gënjej për të fituar jetesën. Sidoqoftë, ka kaluar kohë… dhe ndoshta ka ardhur momenti,” vijoi më tej Depp.

Me këtë fjali duket se ai i referohej vrasjes së 1865 të presidentit amerikan Abraham Lincoln nga aktori John Wilkes-Booth.

I vetëdijshëm se komenti i tij do të bënte xhiron në media, Depp shtoi se ai nuk po nënkuptonte asgjë. E gjitha kishte qenë vetëm një pyetje sipas tij. Fansat e pranishëm e pritën me të qeshura këtë koment të aktorit, ndërkohë që në mediat sociale Depp u kritikua – pasi vetëm disa ditë më parë një kongresmen republikan dhe ndihmësit e tij u plagosën nga një person i armatosur.

Personalitete të shumta hollivudiane kanë folur hapur kundër Trump, që kur ky i fundit mori presidencën e Shteteve të Bashkuara. Në një tubim në Uashington, këngëtarja Madonna u shpreh se shpesh mendonte të hidhte në erë Shtëpinë e Bardhë, dhe reperi Snoop Dogg publikoi një video ku qëllonte me një armë lodër një imitues të presidentit Trump.

SHKARKO APP