Jonida Vokshi flet për pritjen e ëmbël dhe planet për të ardhmen

Jonida Vokshi, thuajse në fund të pritjes së ëmbël, ka folur gjatë për rrugëtimin e shtatzënisë, emrin e bebushes, ndryshimet e trupit dhe gjithë emocionet e momenteve më të veçanta.

“E tërë shtatzënia qe një proces shumë i bukur për mua, pikërisht për shkak të përjetimeve të paprovuara më përpara, një proces që të zbulon pak nga pak detaje e momente që edhe pse të dëgjuara më parë, shumë larg kur e provoke. Këto ditët e fundit qenka një “mezi pritje” shumë e padurueshme për ta parë, për ta mbajtur në duar e miksuar me frikën e të shkuarit gjithçka mirë”,-është shprehur Vokshi gjatë një interviste për Revistën “Who”.

Moderatorja zbuloi se shtatzënia ishte sa e dëshiruar aq edhe rastësore. Pavarësisht se si ajo dhe Besniku donin me se s’bën një fëmijë, prindërimi nuk ishte në planet e tyre të afërta.

“Ai dëshironte aq shumë të ishte vajzë, sa vetëm për emër goce kishim menduar dhe kur na u konfirmua gjinia ishte lumturia e dytë për të, pas lajmit të parë që do të bëhej baba. Të dy donim shumë të ishte vajzë. Për herë të parë na u tha nga doktoresha në muajin e 4, por ende me frikë që nuk është 100%. Pas atij muaji, sa herë shkonim për kontrolle kemi pyetur te dy: “Vazhdon të jetë vajzë?”

Përsa i përket emrit, nëse çiftet e tjerë mezi bien dakord dhe kanë nevojë për ndihmë nga jashtë, për Jonidën dhe bashkëshortin, nuk ishte kështu. Mjaftoi të shihnin një film dhe të merreshin vesh me sy. “Emri i gocës ka ardhur që në fillim, shumë herët, duke parë një film të dy me Besnikun, ku u përmend dhe emri dhe vetëm jemi parë në sy dhe iku ai muhabet”,-tregon Vokshi, duke shtuar se do të dëshironte që vajza t’i ngjante asaj fizikisht.

SHKARKO APP