“Karma” e Adelina Ismailit, gati për rikthim
Në një intervistë dhënë revistës “Albaniac”, Adelina ka treguar se gjatë qëndrimit të saj në New York ka takuar shumë shqiptar, ndërsa ka folur edhe për thjeshtësinë e saj, duke u shprehur se “kurrë nuk do më shohësh foto me Lamborghini”.
Më tej, Adelina ka folur edhe për këngën e saj të re, për të cilën ka thënë se “Karma” është ndryshe, por në të njëjtën kohë është shumë “Adelinë”. “Kënga është punuar nga L.O.N një producent shumë i talentuar shqiptar në Holandë, nuk mund ta përkufizoj në një stil. Ka pop, ka hip-hop, ka folklor shqip, ka gjithçka”, është shprehur Adelina. Diva e muzikës argëtuese shqipe ka thënë se është e vetëdijshme se të gjithë e imagjinojnë si një femër të hekurt që nuk i regjistron fare goditjet e ulëta, të fshehta, që shkatërrojnë, “por disa që ia kanë ‘ndjerë erën’ se çfarë po bëj prej se kam ardhur në Zvicër, godasin që të reagoj”. Më tej, ajo ka folur sërish për këngën e re duke thënë se është G4shi ai që e ka shkruar shumicën e tekstit.
“Kam kënduar anglisht dhe shqip. Anglishten e kam kënduar shumë shqip me aksent dhe jemi kthyer disa herë në studio. I gjithë ekipi ishte skeptik me ketë tekën time të çmendur që të këndoja me aksent shqiptar, por në fund vendosa: Nuk do ta heq aksentin dhe këndimin shqip, jam rritur në Prishtinë, nuk është normale të imitoj këndimin afro-amerikan. Nuk dua. Kam kënduar edhe shqip dhe e kam ça fare me këndim folklorik! Adelina jam! E kam bërë e para bashkë muzikën e huaj me atë shqipe dhe ashtu do mbetem. Për anglisht e kemi G4shin. Askush nuk e bën më mirë se ai”, ka thënë Adelina.
Adelina ka treguar se kënga do të plasohet edhe me videoklip të cilin thotë se e ka punuar 100% i G4shi dhe regjisori Qvest, i cili pritet të publikohet shumë shpejt. Bukuroshja shqiptare ka zbuluar gjithashtu se është në përgatitje të albumit të saj më të ri, por që tregon se ka hasur në vonesa “për arsye që do t’i bëj publike më vonë”. Ndërkaq, tregon gjithashtu se në albumin e saj të ri do të ketë bashkëpunime, por jo me reperë, apo hip-hop artistë.