Kastro Zizo flet për marrëdhënien me dy fëmijët!
Për Klevis Begën faji është jetim edhe në marrëdhënien e munguar babë e fëmijë pas një divorci.
Të dielën kantautori preku zemrat e të gjithëve me interpretimin e këngës “Pa faj” në “Kënga Magjike”, ku konkurron në duet me 17- vjeçaren Rea Nuhu.
Duke sjellë në këtë festival dramën e babait të penduar për vajzën, si një fenomen që ndodh shpesh sot, Kastro Zizo rrëfen më shumë sekrete nga jeta e tij si artist, ndryshe nga të tjerët…
“Pa faj”, një krijim që ka prekur zemrat e të gjithëve kur e deputove me 17-vjeçaren Rea Nuhu në “Kënga Magjike”. Është perceptuar nga publiku si këngë personale, e duke u nisur nga një varg, për çfarë do të kishe dëshirë ta ktheje kokën pas në jetën tënde?
Nuk është këngë personale… Kokën pas do ta ktheja për shumë gjëra që kam bërë e s’kam bërë… Por kjo është e pamundur, kështu që e kthej vetëm për të mos përsëritur gabimet që kam bërë.
Në rolin e vajzës deputon Rea Nuhu. Si e përzgjodhe këtë këngëtare të re, dhe kur e ndjetë atë kiminë e vajzës me babain e munguar?
Rea është nga ato supertalente që vetëm priste të shpërthente si një syth trëndafili, për t’u kthyer në një lule të çelur bukur. Ishte një kimi e menjëhershme profesionale, një talent që pa diskutim meritonte një duet si ai që realizuam. Krenar që e kam në këngën time. Ndërkohë që është edhe mbesa e bashkëkompozitorit të këngës, Gramoz Kozeli.
Duket kjo këngë si monolog i së ardhmes, mes teje dhe vajzës Nia. Çfarë fjalësh do të zgjedhësh që ajo një ditë të të mirëkuptojë?
Në fakt, nuk duket fare ashtu, sepse situata në tekst dhe realitet është krejt ndryshe. Unë nuk kam përse zgjedh asnjë fjalë për mirëkuptim, sepse nuk do të ketë nevojë. Thjesht do të vazhdojmë jetët tona së bashku. Ajo është gjaku dhe shpirti im.
Në fakt dhembja e thellë e shpirtit të një babai larg fëmijës së tij është derdhur në këtë këngë. Çfarë të pengon të mos kesh një marrëdhënie të afërt me vajzën?
Nuk ka lidhje me mua teksti, e ripërsëris.
Ndërkohë që me djalin Dankan je shumë afër. Takoheni me nënën e tij dhe çfarë këshillash i jep si baba?
Me djalin kam një marrëdhënie të shkëlqyer dhe sigurisht që takohem me nënën e tij, jemi miq të mirë.
Dy martesa, dy fëmijë dhe ende shumë i ri. A ëndërron shpesh për një familje ku t’i mbledhësh dy fëmijët që ke, dhe fëmijët që do të kesh në shtëpinë tënde?
Më ngjan pak absurde kjo…
Nëse kthen kokën pas në kohë dhe kujton historitë e tua, më shumë ke lënduar apo të kanë lënduar?
Mbase më kanë lënduar më shumë.
Kur zemra të dhemb dhe shpirti të qan, mendja jote çfarë bën për t’u arratisur nga trupi prej mishi, gjaku e kockash?
Jam marshalla me zemrën dhe shpirtin e kam të pastër si bora. Kështu që s’bëj ndonjë gjë të madhe.
Dashuria për ty është realitet, iluzion apo thjesht një dehje e momentit që të manipulon logjikën?
E fundit. Por është një ndjenjë kalimtare e racës njerë- zore, kështu që le ta shijojmë aq sa zgjat.
Kur sheh në rrjetet sociale vajza të bukura dhe të mbuluara në luks, të tërheqin?
I këshilloj t’i fusin ndonjë tas trahana pas peshkut luksoz./Panorama/