Këngëtaret shqiptare në tregun ndërkombëtar

Suksesin e shqiptareve Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha me siguri se do ta dëshironte çdokush që merret me muzikë. Këngëtaret në fjalë, megjithëse të reja në moshë, kanë arritur që me talentin dhe punën e tyre të madhe të depërtojnë fuqishëm në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe sot të jenë krenaria shqiptare.

Duke mos e mohuar në asnjë moment prejardhjen e tyre, Ora, Lipa e Rexha duket ta kenë pasur më të lehtë për të arritur cakun për faktin që jetojnë pikërisht aty ku sot janë emra të famshëm dhe ku mundësitë janë shumë më të mëdha. Mirëpo, tashmë dyert duket të jenë hapur edhe për ata e ato që jetojnë këtu dhe dëshira e tyre e madhe për të arritur më shumë po i çon një hap para.

Istrefi është rasti konkret, e cila me këngën “Bonbon”, nga Kosova arriti të dëgjohej gjithandej, të bëhej një emër i njohur dhe të ketë performanca nëpër emisione të njohura dhe jo vetëm.

Kësaj rruge i kanë hyrë edhe dy emra tjerë të njohur, Dafina Zeqiri dhe Elvana Gjata. “Forever is Over” është singëlli i parë i këngëtares Gjata për tregun ndërkombëtar, i lansuar javët e fundit.

Era, Dafina e Elvana po tentojnë, por sa do të arrijnë që në një të ardhme të afërt të jenë pse jo në pikën ku kanë mbërritur Rita, Dua e Bebe? Tashmë siç shihet konkurrenca po rritet dita-ditës, mundësitë janë më të mëdha dhe asgjë nuk është e pamundur. Se kush do t’ia dalë në këtë betejë që nesër të jenë yje ndërkombëtare, mbetet të shihet. /Express i KTV-së/

SHKARKO APP