Këngëtari grek i ”dashuruar” me Tiranën. Argiros vjen sërish, por jo për koncert
Këngëtari grek Konstantinos Argiros rikthehet sërish në Shqipëri, por kësaj radhe ndryshe. Ai ndodhet në Tiranë për të bërë provat për koncertin e tij më të fundit që do të mbajë në Londër, të cilin e quan kyç për karrierën e tij. Për këtë moment të rëndësishëm ai ka zgjedhur të shoqërohet nga një orkestër shqiptare.
Bashkëpunimi me orkestrën shqiptare ai e nisi në koncertin që mbajti në Pallatin e Kongreseve në Janar të vitit të shkuar, dhe do ta vazhdojë edhe në skenën më prestigjioze muzikore në botë, në “Royal Albert Hall”, ku do të jenë më të në skenë rreth 30 instrumentistë shqiptarë.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në Tiranë. Vitin e kaluar mbajtja një koncert të Pallati i Kongreseve, nga ku kuptova që ju keni instrumentistë të shkëlqyer, ndër më të mirët në botë dhe për këtë koncert kyç të karrierës time në Albert Hall nuk mund të zgjidhja një skuadër tjetër”, thotë këngëtari.
Një ëndërr e bërë realitet është ky moment për artistin grek, këngët e të cilit janë shumë të dashura edhe për publikun shqiptar, ndërsa zbulon çfarë do të ketë në repertorin e asaj mbrëmjeje. Por pas këtij momenti, një tur nëpër botë e pret artistin Konstantinos Argiros, i cili nuk e përjashton që veç orkestrës së tij të shoqërohet edhe nga instrumentistë shqiptarë.