Këngëtarja shqiptare u tërhoq nga “Kënga Magjike”: Nuk mund të këndoj kur populli im vuan
Ditën e djeshme këngëtarja e njohur Besa Kokëdhima njoftoi fansat e saj në rrjetet sociale se do të tërhiqet nga ‘Kënga Magjike’. Edhe pse i mungoi 6 vjet kësaj skene, ajo shprehet se nuk mundet dot të këndojë kur vendi dhe populli po vuan në këtë tragjedi natyrore.
“Të dashur miq, me keqardhje ju njoftoj se në këtë kohë tragjedie, pikëllimi dhe paniku, e kam te pamundur te performoj “Histori” me dt 5 – 7 Dhjetor në Kënga Magjike 2019. Zemra ime është e ngarkuar me dëshpërim dhe vuajtje për ata që nuk janë më, dhe nuk jam në gjendje të gëzoj kur me bashkëkombesit e mi ka ndodhur kaq shumë; ndaj me duhet të tërhiqem zyrtarisht nga ‘Kënga Magjike 2019’! Jam e bindur qe Kënga Magjike do bejë një punë të lavdërueshme për të kontribuar në mënyrën e saj për të ndihmuar të prekurit, unë do jap në heshtje ndihmën dhe kontributin tim për të lehtësuar sado pak dhimbjen e tyre, dhe respektuar humbjet e pashlyeshme te tyre. Kërkoj ndjese fansave të mi të cilët prisnin përformimin tim dhe falënderoj organizatoret dhe @arditgjebrea për gjithçka kane bere për mua dhe koleget e mi!”- shkruan këngëtarja.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar Ardit Gjebrea. Moderatori me anë të një komenti shprehet se këtë vit ‘Kënga Magjike’ do të vijë me një kauz dhe misioni i saj do të jetë, ‘këndoj për të ndërtuar’.
“Besa e dashur, të thashë që Kënga Magjike këtë vit do të ketë misionin #kendojpertendertuar dhe të gjithë bashkë do kontribuojmë për ata që kanë nevojë. Kam qenë këto ditë në Thumanë dhe vendosëm që me të ardhurat nga biletat të ndërtojmë një shtëpi nga e para dhe kjo gjë do të transmetohet të dielën në @edielashqiptare. Secili bën atë që ndjen, të gjithë artistët janë bashkë këtë herë për të ndërtuar. Të lutem mos mungo! Të gjithë ndiejmë dhimbje, por #tegjithebashkemundemi Edhe artistët e huaj kanë ardhur për këtë kauzë! Të presim!”-shkruan Arditi.