Kim, shqiptari nga Kosova që befason me zërin dhe prek me historinë e tij, jurinë e American Idol

Në vendin e ëndrrave, SHBA, ëndrra e një shqiptari nga Kosova është bërë realitet. Pas 6 vitesh sfidë dhe besim në Amerikën e madhe të mundësive, ai ka mundur të çel portën e tij të fatit. Talenti i tij më në fund ka marrë bekimin e jurisë prestigjioze të American Idol.

Me emrin artistik Kim, djali nga Kosova ka mahnitur me zërin e tij jurinë e sivjetshme të American Idol, por edhe me rrëfimin e tij.

Kim ka marrë pjesë në American Idol, por ajo që ka prekur shumë është historinë e tij, një histori si e gjithë shqiptarëve, të cilët duke besuar në ëndrra kanë befasuar botën e artit dhe lartësuar shpirtin shqiptar.

Teksa flet për nënën që ndodhet ende në Kosovë, sytë i mbushen me lot. Dy vite pasi Kim lindi, nëna e tij u sëmur dhe ai nuk e ka dëgjuar dot më atë të këndojë. Të gjithë i thonë Kim se ka zërin e nënës së tij.

Kimi është me origjinë nga Kosova por tani jeton në Brooklyn. Ai punon në një restorant, ndërsa në American Idol këndoi “Heal” nga Tom Odell. “Unë nuk e kufizoj veten, mund të këndoj gjithçka. Ashtu si do të këndoja Whitney Houston”, tha ai.

Mes lotëve ai ka kënduar edhe këngën “Oj Kosovë, oj nëna ime’, ndërsa një përshëndetje pati edhe për nënën e tij. Kim ka kaluar fazën e parë të American Idol, duke u vlerësuar si një talent i madh i muzikës.

Në fakt, muzika e ndihmoi të mësonte anglishten, të cilën e mësoi vetëm gjashtë vjet më parë.

Marrë nga Kult Plus

SHKARKO APP