Koncerti në Tiranë. Dua Lipa thyen një rekord botëror, tejkalon ikonën Tina Turner
27-vjeçe dhe vendos vetëm rekorde. Është Dua Lipa, shqiptarja më e re në vend, që me koncertin madhështor mbrëmjen e 28 nëntorit, ka vendosur një rekord të ri botëror. Koncerti falas u mbajt në sheshin ”Skëndërbej” për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Sipas faqes “Dua Lipa Today”, në koncert kanë qenë të pranishëm rreth 200 mijë spektatorë, duke thyer rekordin botëror të ikonës së muzikës Tina Turner. Këngëtarja shqiptare ka thyer rekord si koncerti me më shumë pjesëmarrës nga një artiste solo në histori.
“Koncerti i fundit falas i Dua Lipës nga turneu “Future Nostalgia” është tani koncerti me më shumë pjesëmarrës nga një artiste solo në histori, me rreth 200 000 spektatorë. Ajo tejkaloi rekordin e vendosur nga Tina Turner në 1998”, thuhet krahas postimit të kësaj faqeje.