Kryebashkiaku i… qejfit
Prej pak ditësh Briken Fejzullai është emëruar kryebashkiaku i natës. Ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që e prezantoi fundjavën që lamë pas. Një termë i ri ky në vendin tonë dhe i padëgjuar më parë. Por për një metropol si i yni, i cili prej vitesh rri zgjuar duke jetuar aktivisht edhe natën, nga Veliaj u mendua që këtë pjesë të punës në errësirë t’ia ngarkojë dikujt tjetër.
Që një ditë do të drejtonte një bashki nuk e kishte menduar kurrë. Është larg politikës dhe shumë i hapur dhe i drejtpërdrejt për ta bërë një punë të tillë, por kjo detyrë që ka marrë përsipër i rri mirë nën lëkurë dhe e bën të ndihet komod.
Por kush është Brikeni?
Ai ka lindur në Tiranë nga dy prindër intelektual. Mamaja ushtarake dhe babai mësues i Historisë dhe Gjeografisë. Është vëllai i vogël i një motre më të madhe, e cila gjatë viteve të shkollës i ka “prishur punë”. Fakti që ajo ishte një nxënëse e mirë dhe e rregullt, bënte që mësuesit të kërkonin të njëjtin nivel nga djaloshi Fejzullai, i cili futej te ajo kategori nxënësish që janë të zgjuar, të shkathët, por nuk kalojnë shumë kohë mbi libra. Pavarësisht prapësive, ai ishte një nga nxënësit më të dashur për mësuesit e tij.
Në këtë rrëfim për Dita-n, Brikeni na tregon se që në moshë të vogël ka kërkuar që të ketë pavarësi ekonomike. Për këtë arsye, edhe pse 13- 14 vjeç, ka filluar të punojë në baret e Tiranës. Rroga e parë që ka marrë e ka bërë që të kuptojë se sa e rëndësishme është të fitosh të ardhurat e tua dhe jo vetëm të kesh para për vete, por edhe të ndihmosh familjen.
Brikeni adoleshent ka qenë një djalë, punëtor, me lekë, por me këto të ardhura ndihmonte prindërit e tij, të cilët pas viteve ’90, patën problemet e veta në tregun e punës.
“Shumë shpejt e kuptova që kjo ishte puna që doja. E kam dashuruar që ditën e parë dhe vazhdoj ta dua aq shumë”, tregon Brikeni për fillimet e veta. “E kam nisur këtë punë qysh adoleshent si kamarier, banakier, me pas menaxher. Kjo punë m’u bë stil jete. Krijova një grup njerëzish me të cilët ndaj ta njëjtat interesa dhe nuk shkëputesha dot më edhe sikur të doja”.
9 vite si emigrant në Itali
Dëshira për të mësuar diçka të re, por edhe për të provuar jetesën jashtë vendit e shtynë Brikenin që në vitin 1999 të emigronte drejt Italisë.
Ishte 19 vjeç.
“Italia ishte vendi i duhur për të zhvilluar pasionin që kisha. Të merresha me menaxhimin e lokaleve dhe të mësoja shumë në këtë drejtim. Ata kanë një kulturë shumë më të lashtë se e jona. Në çdo vend ku kanë emigruar kanë ditur që të ndërtojnë restorante dhe clube të suksesshme. Ndaj fati im ishte se qysh në fillim u përballa me këtë lloj pune dhe aty punova për 9 vite me radhë, duke i kaluar të gjitha shkallët një e nga një. Isha shef salle, realizoja organizime të ndryshme, dhe mësova kulturën e punës dhe teknikat e saj. Për mua, qëndrimi dhe puna në Itali ishte një shkollë më vete, e cila më ka mësuar shumë për atë çka do të më priste në të ardhmen në Tiranë”.
Emigrimi nuk është për të gjithë dhe sidomos për ata që kanë dëshirë të bëjnë diçka në vendin e tyre. Brikeni ishte ai tipi që donte që eksperiencën e marrë në Itali ta vinte në zbatim në Shqipëri.
Kështu bëri! Në vitin 2007, kur ishte 27 vjeç, kthehet në qytetin e tij të lindjes dhe hap një nga clubet më të mirë të asaj kohë, se bashku me disa miq të tij, që ndërkohë punonin në Shqipëri dhe ishin të njohur në këtë terren. Në atë periudhë, u ndje fryma e re që solli Brikeni, në Tiranën që kishte etje për jetë nate, por pak ide. Nga ajo kohë e deri më sot vazhdon dhe merret me hapje dhe administrim lokalesh. Së bashku me skuadrën e tij, çdo lokal apo club që e merr nën menaxhim arrin ta kthejë ndër më të frekuentuarit në Tiranë.
Përpos talentit, atë e shoqëron humori, karizma dhe serioziteti në punë. Brikeni Fejzullai mund të themi që është një markë, i cili kudo që shkon ka njerëzit që e ndjekin nga pas. Klientelën e cila ndryshon kohë pas kohe, por mbetet besnikja e tij më e madhe.
“Veliaj me “bleu”? Jo, besoj se vlerësoi eksperiencën dhe kapacitetin
Por, ajo që ndodhi fundjavën e kaluar ishte një surprizë për ata që ndjekin dhe e njohin Brikenin nga afër. Ai është opozitar i përhershëm dhe shpesh, në rrjetet sociale nuk ka kursyer as kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e kritikuar atë. Dhe fakti që Veliaj i propozoi Brikenit, postin si kryebashkiak të natës, u pa si një strategji për ta afruar. E pyesim Brikenin për këtë perceptim të krijuar dhe na thotë se te ai vet nuk ka për të ndryshuar asgjë në ditët në vijim.
“Nuk ka lidhje. Unë jam i drejtpërdrejt. Kur një gjë nuk më pëlqen e them. Të njëjtën gjë do e bëj edhe në vazhdim, nëse diçka nuk do të më pëlqej. Veliaj mendoi për mua sepse ai e njeh terrenin, i njeh njerëzit që merren më këtë punë. I ka analizuar personat dhe mendoi se i kisha të gjitha kapacitetet dhe eksperiencën për ta bërë këtë punë. Ma argumentoi se përse ma ofroi këtë post dhe unë jam i lirë, të them ç’të dua. Ky nuk është një post politik. Është simbolik, por me përgjegjësi, për fushën me të cilën merrem. Unë nuk kam një zyrë në bashki. Nuk do të marr rrogë për këtë detyrë që më është dhënë. Sigurisht kur të punoj me projekte do paguhem. Por nuk jam punonjës që do të paguhem nga taksat e qytetarëve. Kemi disa ide dhe projekte për t’i zbatuar për jetën e natës në Tiranë dhe besoj me dëshirë dhe përpjekje të përbashkët do t’i realizojmë”,- tregon Brikeni për të gjitha ata që dyshojnë për një “blerje” të mundshme që mund t’i këtë bërë kryetari aktual i bashkisë.
Fejzullai ka 24 vite që e bënë këtë punë dhe nuk është lodhur. Çdo ditë çohet me dëshirë për të punuar. Truri i tij punon më shumë natën se sa ditën.
Ai nuk është djaloshi tipik që punon në clube, i palestruar, me këmishë gjysmë të zbërthyer. Nuk ka marrëdhënie të mirë me palestrën, pasi nuk e shikon dot veten duke vrapuar në një pistë dhe duke mos shkuar asgjëkund. Por në format që është ndihet rehat me veten dhe duket se i shkon ky fizik.
Pavarësisht jetës dhe punës që bën, Brikeni është familjar. Është baba i një djali gjashtë vjeç e gjysmë, për të cilin thotë se i ka ngjarë shumë.
E sollëm këtë profil në Dita, për të njohu më shumë, Briken Fejzullain, djali i cili me strategjitë dhe projektet që ka, do të argëtojë më shumë ata që frekuentojnë jetën e natës në Tiranë. Më shumë se kryebashkiaku i natës, Brikenin mund ta quajmë, kryebashkiakun e qejfit…
Nga Entela Resuli – DITA