Letër dashurie nga Dua Lipa për Kosovën: Që në fëmijëri ëndërroja të kisha muzikantët e preferuar në qytetin tim
Festivali “Sunny Hill” do të sjellë një sërë artistësh shqiptarë dhe të huaj në Kosovë, dhe Dua Lipa e ka cilësuar si një ëndërr të bërë realitet. Duke folur për vlogun “Service95”, Dua thekson se dëshira e saj për të sjellë festivalin e saj në Kosovë nuk do të mungojë asnjëherë.
Me titullin ”letër dashurie për vendin tim të lindjes”, Dua tregoi se si nisi themelimi i festivalit deri tek realizimi i eventit të madh në vendlindjen e saj. Vitin e shkuar, festivali nuk u realizua për shkak të pandemisë por do të rikthehet këtë vit nga data 4 deri më 7 gusht.
“Jam shumë e lumtur që festivali “Sunny Hill” do të rikthehet përsëri këtë vit në Prishtinë, Kosovë. Kur jetoja në Kosovë, nga mosha 11 deri në 15 vjeç, ëndërroja që një ditë të shikoja muzikantët e mi të preferuar të interpretonin live në qytetin tim, dhe kështu nga dëshira ime dhe e babit tim, lindi pikërisht festivali ynë. Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin që na ndihmon me organizimin e festivalit tonë, veçanërisht pasi eventi i vjen në ndihmë edhe fondacionit tonë “Sunny Hill”, i cili mbështet organizata të ndryshme kosovare, veçanërisht ato në fushën e artit dhe të kulturës”, ka shkruar Dua.