Liljana Kondakçi shpërthen në lot teksa rrëfen jetën e saj

Një prej ikonave të muzikës së lehtë shqiptare, Liljana Kondakçi, ka qenë e ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, për të ndarë me publikun projektet e ardhshme muzikore, planet për dy albume të reja, por edhe për të zbuluar më shumë për familjen e saj dhe jetën si gjyshe.

E pyetur si e kujton kohën e festivaleve, ajo tregon me shumë nostalgji. “Kemi pasur shumë artistë të talentuar, por kemi qenë edhe shokë e shoqe të dashur me njëri-tjetrin, pa xhelozi. Si në një familje. Gjëja më e bukur në ato vite ishte koha kur shkonim në turne. Bënim një program, organizonim ditën, kohën e lirë në çdo koncert dhe në çdo qytet ku shkonim. Kishe mundësi për të pasur variante të ndryshme e për të shijuar çdo gjë në vendet ku shkonim. Ishte një jetë shumë e pasur”,- tregon Liljana.

Sot, shumë vite pas atyre turneve dhe festivaleve, edhe muzika ka ndryshuar, por Liljana është gjithmonë në formë, madje “në formë më të mirë se atëherë” thotë ajo. Prej kohësh, këngëtarja po përgatitet për dy albume: njërin me këngët e saj më të bukura në vite dhe një tjetër me këngë të reja.

Gjatë viteve, suksesin në muzikë ua dedikon edhe familjarëve të saj; bashkëshortit, i cili 4 vjet më parë është ndarë nga jeta, dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, dhe 3 nipërve. Sot, ata janë lumturia më e madhe e Liljanës.

Statusi si gjyshe ia ka bërë jetën më të lumtur. Vajza, e cila jeton me familjen dhe dy djemtë në Selanik, e kërkon gjithmonë ta ketë pranë vetes dhe djemve, por Liljana ka më shumë dëshirë të jetojë në Shqipëri me djalin dhe familjen e tij. “Nuk më pëlqen të jetoj jashtë”, tregon ajo. “Të them e lumtur, më duket pak”, thotë ajo e pyetur si e ndjen veten si gjyshe.

SHKARKO APP