Linda Rei debaton me Rudinën: ”Mjaft! Unë jam grua”
Një intervistë e Linda Reit me Rudina Magjistarin do të kthehej në një debat të vërtetë, gjatë të cilit Linda kërkoi me ngulm të qartësonte termin “transgjinor” me të cilin përcaktohet shpesh në media. “Mediat më quajnë “transgjinore”, edhe pse unë vazhdoj të shpjegoj se nuk jam transgjinore. Nuk e kuptojnë se transgjinore është të kesh penisin akoma, kurse unë jam vajzë”, sqaroi Linda.
Ajo e ndërpreu disa herë Rudinën, e cila po e pyeste nëse ndihet e diskriminuar dhe nëse mendon se historia e saj do t’i bëhet frymëzim komunitetit LGBTQ. Por Linda nuk pranoi të përfshihej në ndonjë komunitet. Ajo kujtoi se është grua dhe kjo nuk e bën pjesë të asnjë komuniteti.
Madje, iu kthye edhe Rudinës duke i thënë: “Unë nuk përfaqësoj asnjë komunitet, unë jam grua dhe përfaqësoj vetëm veten. Pse, ti përfaqëson bjondet?”
Pasi Rudina e pyeti nëse iu desh shumë kohë të mësohej me gjininë e re, Linda iu përgjigj prerë se nuk e ka ndier ndonjëherë veten djalë, që kur ishte fare e vogël. “5-6 vjeçe vishja takat e mamit dhe dilja nëpër lagje. Kur shikoja çunat nuk mendoja ndonjëherë që “jam si ata”.’
Por momenti kur e kuptoi se ishte në trupin e gabuar, ishte në fillim të pubertetit. Linda kujtoi herën e parë kur doli para pasqyrës dhe kuptoi se ishte lindur në trupin e gabuar dhe që aty vendosi të bënte diçka për të qenë ajo që donte të ishte. “Mbaj mend se jam zgjuar një mëngjes, pashë veten në pasqyrë dhe atëherë kuptova: ajo nuk isha unë. Qimet, muskujt…nuk isha unë.”
Sidoqoftë, pas gjithë debateve, në fund të emisionit Linda e ndjeu të nevojshme t’i kërkonte falje Rudina Magjistarit për mënyrën si reagoi. Megjithatë, iu duk e nevojshme që pas gjithë debatit, t’i kërkonte falje Rudinës për mënyrën si reagoi. ”Të kërkoj falje për reagimin tim, por jam shumë emocionale. Është diçka që gjithmonë kam dashur ta sqaroj”.