Lufta për audiencë! Agron Llakaj thotë fjalën e fundit për ‘rivalët’
Kujt ia kishte marrë mendja që dy grafikë të thjeshtë me ulje e ngritje kurbash do shkaktonin gjithë këtë zhurmë?
Po ziejnë portalet që kur Luana nxori grafikun e saj të audiencës, që sigurisht e rendiste programin e saj “Shiko kush luan” si më të ndjekurin e të shtunës.
Si t’i kishte hedhur dorezën për duel e jo një grafik, Ermali iu kundërpërgjigj Luanës me grafikun e tij, por që kësaj here e klasifikonte “Xing me Ermalin” si më të preferuarin. Për secilin prej tyre kundërshtari i vërtetë më i fortë ishte “Al Pazar”.
Në atë qetësinë e tij, e pa e vrarë mendjen fare as për grafik e as për konkurrencë, Agron Llakaj përgjigjet i kontaktuar në telefon nga Tiranapost:
“As nuk shoh e as nuk bëj grafikë. Për mua ka rëndësi që “Al Pazar” të shihet dhe se si të gjej mënyra profesionale për ta bërë edhe më të ndjekur. Jam i qetë dhe kam mënyrat e mia për të matur shikueshmërinë, nuk jam në garë me askënd veç vetes time dhe as nuk dua të komentoj vendin e dytë që më paskan rezervuar.
Siç thonë edhe vlonjatët, ne duam të gjithë vendin e parë në autobus. Nuk u shpik që nuk u shpik ai autobusi që do ecë anash”.
Indiferent ndaj zhurmës e rrjeteve sociale, duke mos u bërë kurrë protagonist, befas Agroni u mbiu në derë edhe Ermalit edhe Luanës si konkurrenti i vërtetë dhe më i forti, që deri më sot as njëri e as tjetri nuk e paskan konsideruar.