Madonna firmos marrëveshje historike me Warner
Në moshën 63 -vjeçare, Madonna bëri një përmbledhje të karrierës së saj të gjatë dhe njoftoi një marrëveshje historike me Warner Music Group, që do të blejë të gjithë katalogun e saj të muzikës së regjistruar më parë. “Ata kanë qenë partnerë të jashtëzakonshëm dhe unë jam e lumtur të filloj këtë kapitull të ri me ta për të festuar katalogun tim të 40 viteve të fundit,” tha ylli i popit duke njoftuar marrëveshjen.
“Që nga fillimi, Warner Music Group ka ndihmuar në sjelljen e muzikës sime dhe vizionit tim për të gjithë fansat në të gjithë botën me kujdesin dhe konsideratën më të madhe,” tha Madonna.
Repertori përfshin katalogun Sire, Maverick dhe Warner: 17 albume në studio, këngë të ndryshme, regjistrime zanore, albume të drejtpërdrejta dhe përmbledhje. Këtyre do t’i shtohen në vitin 2025 edhe tre albumet më të fundit (MDNA, Rebel Heart dhe Madame X), të regjistruara për Interscope Records.
Me mbi 300 milionë albume të shitur në të gjithë botën, shtatë Grammy dhe dhjetëra çmime të tjera muzikore, Madonna është këngëtarja femër më e suksesshme e të gjitha kohërave. Sipas Guy Oseary nga Maverick, menaxheri i saj i vjetër, “partneriteti i ri do të sjellë në jetë atë që shumë fansa kanë pritur me durim, një festë e katalogut revolucionar të Madonnas. Ne jemi duke punuar ngushtë me Warner Music Group për t’i dhënë frymë të re këtyre veprave ikonike”.
Në vitin 2022, kur Madonna feston 40-vjetorin e karrierës së saj, do të fillojë të dalë një seri e madhe katalogësh shumëvjeçarë. Artistja do të kurojë botime luksoze të albumeve të saj më të famshëm, të cilëve do t’i shtohen edicionet e reja shoqëruese të ngjarjeve speciale, të gjitha nën mbikëqyrjen e ekipit Warner. Partneriteti nuk parashikon regjistrime të ardhshme, për projektet e saj të reja muzikore.