Mançester, të dielën mega-koncert i Ariana Grandes me yjet
Këngëtarja amerikane e muzikës pop, Ariana Grande do të kthehet në Mançester këtë të diel, për një koncert në kujtim të viktimave të atentatit. Artistja do të jetë e shoqëruar nga Justin Bieber, Coldplay, Katy Perry, Miley Cyrus, Pharrell Williams, Usher e Take That.
Në 22 maj, në fund të spektaklit të saj, një kamikaz hodhi veten në erë, duke vrarë 22 persona. Autori u identifikua më pas si Salman Abedi, 22 vjeç. Koncerti i bamirësisë do të zhvillohet në stadiumin e kriketit të “Old Traford” në Mançester, jo në atë të skuadrës së futbollit, tempull i Junajtid: bëhet fjalë për “Lancashire Cricket Club’s Old Trafford”, kapaciteti i të cilit është 50 mijë vende.
Pas atentatit, këngëtarja e re italo-amerikane, idhull i adoleshentëve, nuk pësoi asnjë dëm dhe brenda pak orësh u kthye në shtëpinë e saj në Florida në gjendje shoku. Megjithatë, Grande kishte dhënë mesazhe solidariteti për viktimat e sulmit dhe pas pak ditësh kishte premtuar një nismë bamirësie në favor të Mançesterit. Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata që ishin në spektakël natën e masakrës.
Policia britanike ka shkatërruar pjesën më të madhe të organizatës terroriste të Salman Abedi: në burg kanë përfunduar tetë persona, që kishin lidhje me kamikazin, përfshirë vëllanë dhe babanë e autorit.