Markelian Kapidani: Muzika brenda nesh, si funksionon ky akt komunikimi?
Nga Markelian Kapidani
Muzika është një gjuhë e artikuluar tingujsh, është komunikim dhe është art. Megjithatë, ndryshe nga një gjuhë normale, si gjuha shqipe apo italishtja etj, muzika ka karakteristikën e të qenit universale, ajo mund të dëgjohet nga kushdo dhe është në gjendje të përcjellë emocione dhe ndjesi të panumërta.
Pra, pyetjes se çfarë është muzika, mund t’i përgjigjemi se: muzika është gjuha e parë dhe e vetmja universale.
Nëse hedhim një vështrim të ndërgjegjshëm rreth nesh, arrijmë të ndjejmë si jemi të rrethuar nga tinguj dhe zhurma të përditshme: një pikë uji që bie permbi tokë nga një rrobë e lagur, klithma e një fëmije që llastohet, dallgët e detit që shamatosen me erën, sirena e trenit që niset nga stacioni; zhurma e avionit e gjithë kjo është “akordika e jetës”. Janë tingujt që na shoqerojnë në “një lloj muzike të improvizuar nga vetë jeta”!!!
Po të thellojmë dijet tona rreth Muzikës, do të kuptojmë se ajo është e përbërë nga një formë idiomatike tejsisht të veçantë dhe falë kësaj veçantije, është në gjendje të bashkojë popullata të ndryshme, të cilat mund të brohorasin së bashku rreth një kënge festive apo dhe të ngushëllohen me një muzikë të trishtuar… .
Pavarësisht zhanreve muzikore që dëgjoni, muzika, na ndihmon të krijojmë identitetin tonë:
Unë p.sh mund të jem Jazz, me ngjyra Latin (ritme që vijn nga Afrika e zezë) …. por kam ca nuanca Rock, të perziera me Pop Afro/Amerikan, gjithashtu formimi im muzikor Klasik, nuk më lejon të “Tallavitem”, por më drejton për nga muzika e krijuar me kritere professionale. Këto janë gustot e mia të krijuara simbas rrugetimit dhe studimeve të mia në jetë.
Dikush tjetër ka për qefë Muzikën Operistike, Këngën Popullore, etj.
Mbi këtë ide, lidhur me gustot muzikore, ja vlen të thuhet se çdo zhanër muzikor në veçanti bashkon njerëz me karakteristika të ngjashme.
Kështu që do të kemi:
– Jazz-istat së bashku,
– Operistat po në grup,
– ato që kanë për qefë Bach-un n’vedi… etj
… por gjithsesi, kanë për t’u gjetë edhe mes tyre në forma të përziera.
… ngjashëm me atë çka ndodh me gastronominë: Dikujt i pëlqen kuzhina italiane, dikuj tjetër ajo, franceze… shqiptare… kineze… etj… në fund të fundit, një çmbëlsirë (pavarësisht se nga e ka prejardhjen) i vendos të gjithë dakord
MUZIKA është art, kënaqësi, divertimento, gjuhë komunikimi mes njerëzve, zanat… por është gjithashtu një ndjenjë, është gëzim apo zemërim, dhimbje apo magjepsje, dhe mund të bëhet gjithçka tjetër që ne duam.
Tani, mbas këtyre informacioneve mbi muzikën, provoni t’i bëni pyetje përsëri vetes tuaj se çfarë është në të vërtetë muzika dhe cili është funksioni i saj?
Në të vërtetë muzika nuk thotë asgjë tjetër përveç esencës shprehëse në lidhje me ndjesit tona.
Dëgjimi i muzikës është një nga veprimet që bëhet automatikisht çdo ditë. Kështu, jemi mësuar të dëgjojmë muzikë në shtëpi, në makinë, në tren, nëpër lokale e festa, gjatë një vrapimi në park, por për fat të keq, të paktë janë njerëzit në gjendje të dëgjojnë realisht muzikën brenda tyre. Çdo zhanër muzikor është në gjendje të influencojë individin dhe mund të prodhojë efekte të ndryshme në mendjen tonë, mund të na bëjë të qajmë dhe më pas të buzëqeshim, të relaksohemi ose të nervozohemi, megjithatë për shumicën, muzika do të mbetet gjithmonë si një gjë trasparente, e pakapshme… (!)
… Por Muzika ekziston që nga agimi i njerëzimit dhe ka një fuqi të madhe ekspresive. Mes stileve dhe rrymave të ndryshme muzikore, spikasin disa nga ato. Kjo lloj muzike i bën më të mirë njerëzit të cilët janë në gjendje ta kuptojnë idiomën e saj elegante.
Muzika brenda nesh
Dëgjimi i muzikës është një veprim i natyrshëm, por për ta bërë këtë gjë, truri ynë aktivizohet duke zbatuar hapa të ndryshëm.
Me siguri që do t’ju ketë ndodhur që gjatë dëgjimit të një kënge, të mbani ritmin e saj duke rrahur këmbën me një shpejtësi të caktuar.
Eksperimentet e ndryshme kanë treguar se duke ndryshuar ritmin e melodisë, do të ndryshojë edhe ritmi i këmbës sonë, kjo ndodh pasi ndryshon gjithashtu edhe ritmi i lidhjeve tona mendore.
“Dëgjimi na përfshin gjithashtu në një nivel të pavetëdijshëm dhe ushtron ndikimin e tij tek ne.”
Funksionimi i trurit kur ne dëgjojmë një këngë
Për të kuptuar se cili mund të jetë ndikimi i muzikës, duhet të bëjmë një udhëtim të shkurtër për të zbuluar trurin tonë dhe funksionimin e tij.
Për ta bërë këtë gjë në një mënyrë sa më të thjeshtë, le ta përshkruajmë këtë proces në disa hapa. Sistemi ynë nervor përbëhet nga qelizat e quajtura neurone, të cilat komunikojnë me njëri-tjetrin përmes neurotransmetuesve, vezikulave të vogla (këto janë organizma sub-celulare) që rrijnë inerte brenda neuroneve derisa të ndodhë diçka: një impuls emocional. Në këtë pikë ato çlirohen dhe ndërveprojnë me neuronet fqinje, duke e shndërruar impulsin nervor fillestar në një përgjigje specifike qelizore.
Konkretisht, kur dëgjojmë muzikë, në trupin tonë prodhohet një efekt i ngjashëm me atë të marrjes së një droge psikoaktive që shkakton lirimin e dopaminës në tru. Dopamina është një nga neurotransmetuesit. Detyra e dopaminës është të ushtrojë kontroll mbi lëvizjen, vëmendjen dhe kapacitetin e të mësuarit, disa aspekte të funksioneve njohëse, ndjesinë e kënaqësisë dhe mekanizmin e gjumit. Me pak fjalë, këta neurotransmetues janë lajmëtarë kimikë që lëshojnë impulset nervore për të nxitur një mekanizëm të caktuar të trurit.
Efekti i muzikës
Efekti që prodhon muzika nuk është vetëm shpirtëror tek emocionet, pasi është demonstruar se emocionet janë të lidhura fizikisht me p.sh: alterimin e rrahjeve të zemrës, ndryshimin e presionit të gjakut, prodhimin e adrenalinës etj.
Kështu, shpesh ndodh të shohësh profesionistë të sektorëve të ndryshëm: kirurgë, atletë etj të izolohen duke dëgjuar muzikë me kufje përpara se të nisin performuancën e tyre. Në këtë rast, dëgjimi ka për qëllim përmirësimin dhe përqendrimin e energjive në dispozicion.
Anasjelltas, në situata të tjera, muzika mund të përdoret për t’u çlodhur. Zhanret dhe stilet e ndryshme muzikore, në fakt, janë në gjendje të shkaktojnë efekte shumë të ndryshme tek dëgjuesi. Nëse muzika relaksuese është në gjendje të reduktojë nivelet e kortizolit (hormoni i stresit) në gjak, kreshendoja e një orkestre mund të shkaktojë vazokonstriksion të lëkurës së fytyrës me një rritje të presionit të gjakut.
(këto janë eksperimente shkencore, të botuara nëpër libra dhe revista…)
Në përgjithësi, mund të themi se muzika klasike dhe meditative funksionon në uljen e stresit dhe dhimbjes, ndërsa muzika ritmike ka efekte të dobishme në rritjen e përqendrimit, motivimit dhe përmirësimin e humorit. (!)
Për më tepër, disa këngë mund të ngjallin stade specifike ndjesish si qetësia dhe paqja, kushte të cilat lejojnë që potenciali i trurit tonë të shfrytëzohet në maksimum.
Përveç një diskursi të përgjithshëm, është e nevojshme të merren parasysh edhe aspektet më subjektive, pra shijet personale, si rezultat i të cilave, për shembull, një individ mund të shqetësohet duke dëgjuar muzikë klasike apo të ketë më shumë kënaqësi në aspektin e relaksimit, p.sh: nga dëgjimi i muzikës, popullore.. .
Si funksionon procesi i dëgjimit
Dëgjimi i muzikës sjell kënaqësi, zgjon, përcjell emocione dhe na ndihmon t’i bashkëndajmë ato me shokë e miq. Ky proces që duket absolutisht i natyrshëm, në fakt vë në lëvizje një mekanizëm kompleks.
Mënyra se si reagon truri ynë kundrejt stimujve muzikorë nuk varet vetëm nga vetë tingujt, por edhe nga pasuria e njohurive që kemi marrë përgjatë studimeve tona si dhe nga eksperienca e jetës. Në fakt, reagimi do të kushtëzohet edhe nga aftësitë tona muzikore, nga ajo që kemi dëgjuar më parë dhe që është ruajtur në kujtimet tona, nga emocionet që kemi ndjerë.
Thellë thellë, muzika është një gjuhë matematikore e ndertuar mbi kombinimin harmonik mes tingujve me lartësi/shpejtësi dridhjesh (frekuenca) të ndryshme. Pra, konceptet bazë të muzikës, kan të bëjnë me Fiziken e dridhjeve të valëve mekanike. Këto dridhje janë numra. Këto numra organizohen nga kompozitori në kombinime mes tingujsh dhe ritmesh.
– Nga njera anë: muzikanti i mirë “këto numra” di ti klasifikojë simbas gjëndjeve emocionale dhe i përdorë ato për t’u shprehur….
– Nga ana tjetër, një degjues i mirë di ti interpretojë këto sinjale. Sa më kulturë muzikore të ketë degjuesi, aq më kuptimplotë do jetë muzika e dëgjuar.
… mbi këto të dhëna, varen edhe gustot tona në lidhje me muzikën (!)
Por le të kuptojmë se si sillet truri ynë kur dëgjojmë një këngë.
Tingulli është një fenomen fizik, është ndjesia e prodhuar nga dridhja e një trupi lëkundës që përhapet në ajër. Kur dëgjojmë një këngë, faza e dëgjimit ndahet në dy pjesë. Fillimisht aktivizohet faza e dëgjimit, e cila është një fenomen periferik i lidhur me veshin dhe nervin akustik. Së dyti, duke kaluar nëpër talamus, tingulli arrin në lobin temporal dhe prej andej ai përfshin sistemin tonë nervor me funksionet e tij psicike.
Në këtë pikë thuhet se tingulli muzikor është “intelektualizuar”.
Tani truri ynë është në gjendje të dallojë gjuhën nga muzika në mënyrë që gjatë dëgjimit të veprojë duke përdorur dy sisteme të veçanta nervore për njohjen e melodisë dhe kuptimin e fjalëve.
Hemisferat e trurit
Kur dëgjojmë një këngë, dy hemisferat e trurit aktivizohen:
– e majta (që ka të bëjë me pjesën logjike) fokusohet te gjuha,
– e djathta (që menaxhon funksionet më intuitive) përgjatë dëgjimit muzikor, aktivizon imagjinatën, duke i dhënë jetë emocioneve nga më të ndryshmet,… ndërkohë pjesa e majtë analizon aspekte të tilla si struktura e këngës dhe teksti i saj, pjesa e djathtë vazhdon t’i përziejë idetë duke krijuar lidhje mes tyre.
Është mjaft interesante të përmendet se disa studime kanë zbuluar se muzikantët e perceptojnë muzikën në dy mënyra të ndryshme në varësi të qëllimeve që drejtojnë dëgjimin e tyre. Nëse duan të rrëmbehen nga tingulli, do të dëgjojnë, në mënyrë të pandërgjegjshme, me hemisferën e djathtë. Perkundrazi, nga ana tjetër, po deshën të analizojnë melodin, akordet, ritmin, etj nga pikëpamja teknike, hemisfera e majtë do të marrë përparësi.
Normalisht, të dyja hemisferat përfitojnë nga muzika. Nëse fokusohemi më shumë në anën e majtë, efektet pozitive do të shfaqen në përmirësimin e kujtesës, aftësive motorike, ndjenjës së ritmit, koordinimit të trupit përmes lëvizjeve të Valles, ecjes ritmike apo kërcimit…. Nëse, nga ana tjetër, fokusohemi më shumë në anën e djathtë, do të kemi një zhvillim më të madh të imagjinatës, një përmirësim të sensit krijues dhe fantazisë, gjithashtu do perfitojmë shumë nga aspekti i ndjesisë, duke u bërë më empatikë… .
—
LITERATURË
-Muzika dhe Truri (R. A. Henson & Macdonald Critchley)
-Shkenca dhe Muzika (Sir: James Jeans)
-Leksik i akustikës dhe teknik muzikore (Pietro Righini)
… etj