Mbretëresha Elisabetë rishfaqet mbi kalë pas izolimit
Mbretëresha Elisabetë, është fotografuar teksa kalëronte në oborrin e kështjellës Uindsor, dhe kjo është hera e parë që ajo shihet jashtë që kur izolimi nga Covid-19 nisi.
Monarkja 94-vjeçare, u fotografua mbi një poni 14-vjeçar, të quajtur Balmoral Fern, gjatë fundjavës. Ajo rregullisht kalëron nëpër Uindsor, që thuhet se është edhe rezidenca e saj e preferuar mbretërore. Ajo ka qëndruar atje gjatë izolimit, me të shoqin, dukën e Edinburgut, 98-vjeçar dhe pak pjesëtarëve të stafit.
Monarkja kaloi edhe ditëlindjen e saj, më 21 prill, në izolim, me princin Filip. Fotot e fundit të mbretëreshës në publik, janë ato të 19 marsit, kur mbretëresha po largohej nga pallati i Bakingamit drejt shtëpisë në Bërkshajër.
E veshur me një shall plot ngjyra, pantallona, çizme dhe doreza, mbretëresha ka zgjedhur të shijojë mëngjesin plot diell të së dielës, kur edhe është pikasur nga fotografët në shëtitjen e saj. Mbretëresha, është një adhuruese e kuajve të racës.