Me Aleksandër Lalon në juri, Marina e (se) kalon provën
Sapo Marina e prezantoi Aleksandër Lalon, në fillim të spektaklit ”C’est La Vie” me titullin profesor, ai i kërkoi të mos e thërriste ashtu. Siç duket ishte diçka e përsëritur, e që kishte ndodhur edhe në prova, sepse Marina i tha se hoqi dorë, duke i kërkuar ndjesë e duke iu drejtuar si maestro.
Maestro Lalo, pasi mbaroi interpretimin çifti i parë, i tërhoqi vërejtje, sepse ajo kishte harruar të prezantonte dirigjenten e orkestrës që po performon live. Marina i kërkoi sërish ndjesë dhe bëri prezantimin.
Në fund të fundit, maestro i tillë është, i drejtpërdrejt, e për më tepër Marina ia kërkoi vetë, që në fillim. Iu lut që ai të vazhdonte t`i thoshte gjërat pa u rezervuar. Lalo ia ktheu me batutë, duke thënë se këtë herë s`do bënte sherre. E mbajmë mend mirë se ç`ndodhi mes tij dhe Bujar Qamilit, në një tjetër produksion të Klanit, vite më parë, në “Kënga ime”.
Duket se as Marina s`do ta ketë të lehtë me maestron në juri. Ai s`do t`u tërheqë vërejtje vetëm konkurrentëve.