Me këngë ikonike, por nuk u pa në Festivalin e Këngës. Aurela Gaçe: Ndodh të fshihet historia
Të mërkurën u mbajt nata e tretë e Festivalit të Këngës në edicionin e 61. Një festë e madhe, kështu ishte nata e tretë e Festivalit të Këngës në RTSH, që risolli në skenë këngë të paharrueshme në memorien e publikut.
Ajo që u vu re ishte mungesa e këngëtares Aurela Gaçe, e cila i ka dhënë jehonë këtij festivali me këngët më të bukura dhe që ende sot këndohen nga publiku. Këngët e saj nuk u shfaqën as në skenë, as në evente apo spote dhe për këtë këngëtarja ka bërë nje reagim zhgënjyes. “Fati ynë shpresë dhe marrëzi” është një nga këngët e pavdekshme, apo edhe kënga “Jetoj”, “Nata”, “S’jam tribu” etj.
“Në siglat promovuese të festivalit asnjë video e këtyre këngëve nuk ishte. Paçka se Aulona thotë që këto këngë janë… pse asnjë prej këtyre këngëve për 3 sekonda nuk ishte pjesë e promos? Në fakt ftesa për të marrë pjesë është marrë. Mbase fakti që nuk munda të jem në skenë bëri të më fshijnë edhe nga videot promovuese! Më thanë që më duan, por në momentin që unë nuk kam mundësi të shfaqem, prej angazhimeve sigurisht, ndodh të të fshihet dhe historia, me shumë dashuri”,-shkruan ndër të tjera Aurela.