Mediat britanike shkatërruan çiftin Harry dhe Meghan

Një nga problemet më të mëdha të grave me ngjyrë në forcën e punës në Britani është shtypja. Një kombinim toksik i sabotimit dhe nënvlerësimit bën që shumë gra të japin dorëheqjen para se të pushohen nga puna, duke preferuar të largohen vetë. Rrethana si këto kanë ndikuar në mbrujtjen e një brezi të ri sipërmarrësesh me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, gratë me ngjyrë nuk u habitën kur Meghan, Dukesha e Sussex dhe Princ Harry njoftuan se do të tërhiqeshin nga rolet e tyre në familjen mbretërore, një institucion jashtëzakonisht elitist. Kjo rrëfenjë është treguar që në fillim të herës, por kësaj rradhe, nuk mund të injorohet.

Dhe sigurisht, ata që e shtynin Meghan të ndërmerrte këtë hap, tani shtiren si të habitur që fjalët e tyre patën pikërisht rezultatin që synonin. Që kur Meghan u lidh me Harry-n në vitin 2016, është shqyrtuar nga media me analiza të tepruara që rrallherë mund të quheshin të sakta. Tabloidet britanike shkruanin për të, jo për të përcjellë një lajm, por për të njollosur imazhin e saj. Meghan është zbërthyer dhe rindërtuar me dhjetëra herë si karikaturë e ligë, gabimet dhe shkeljet e saj janë të pafundme. Krimet e saj s’kanë formë, ndryshojnë gjatë gjithë kohës dhe ndonjëherë, kundërshtojnë veten; njëherë dukesha përflitet si liberale e thekur, njëherë si hienë e etur për para që do të ngjisë shkallët e klasave, varet nga audienca. Të shumtë ishin ata që shpresuan se lindja e djalit, Archie, do ta zbuste disi median, por nuk ndodhi kështu.

Racizmi britanik është shpeshherë i fshehur dhe i koduar, por për Meghan, s’ishte nevoja të zbërtheje gjë. Urrejtja vihej re në tituj që i referoheshin lagjes ku u rrit Meghan si “të përmbytur nga bandat kriminale” dhe rolit të saj si kryeredaktore e Vogue si “përçarës.” Dhe gjëja më e dhimbshme e gjithë kësaj është se të gjithë po e prisnim largimin dhe e dinim që nuk mund të shmangej. Edhe nëse do të kishte qenë racë e përzierë pa karrierën në Hollywood, edhe po të kishte veshur gjithmonë fustane poshtë gjurit, edhe po të mos kishte ngrënë avokado, edhe po të kishte mbajtur tenda rreth e rrotull vetes për të fshehur barkun e shtatzënisë, edhe po të kishte bërë me dhjetëra gjëra të tjera absurde për të kënaqur shtypin, a do të ishte shmangur ky rezultat? Tabloidët do ta kishin gjetur gjithsesi një mënyrë për ta përfolur negativisht. Prandaj po etiketohet si lakmitare, edhe pse premtoi të punojë për të qenë e pavarur financiarisht. Meghan e pati fatin të shkruar.

Britania sapo vendosi në detyrë një kryeministër me një të kaluar raciste dhe largoi një dukeshë me racë të përzierë sepse është një shtet racist. Mbretëria e ka gjithnjë e më të vështirë të ruajë vlerat. Dhe e vutë re me sa shpejtësi zgjedhja e përbashkët e Harry dhe Meghan filloi të diskutohej vetëm si zgjedhja e Meghan. Mbulimi i tanishëm nga mediat e quan “shkatërruese familjesh,” Lady Macbeth që i pëshpërit helme princit. The Daily Mail, që mbushi 17 faqe me ngjarjen, e quajti ndryshimin e princit “nga një djalë qejfli në Princin e të Drejtës.” Faktin që Meghan është e ndjeshme ndaj padrejtësive racore dhe gjinore, mediat e përshkruajnë si njollosje të princit. Djali i tyre 8-muajsh përflitet si katalisti i këtij vendimi – edhe pse u krahasua me një shimpanze nga një moderator i BBC ditën që erdhi në jetë.

Mos u gënjeni: Çiftin e largoi nga mbretëria abuzimi racist, seksist dhe klasist i medias. Sidoqoftë, nuk do të nxëmë nga gabimet tona. Kur u publikua lajmi, të gjithë gjetën një fajtor, por askush nuk fajësoi median. “Mendoj se duhen fajësuar rrjetet sociale,” tha komentatorja Claudia Joseph për The Independent. “Nëse lexon postimet për Meghan në Twitter, e kupton menjëherë pse do të largohet,” vijoi ajo, a thua se komente të ngjashme nuk i gjen dot në gazeta apo portale. Pa e vënë re ironinë, mediat kanë vijuar të publikojnë artikuj të pamëshirshëm. Harry humbi të ëmën si pasojë e sjelljes së tabloidëve. Të paktën ai nxorri një mësim nga gjithë kjo histori. /Anabel/

SHKARKO APP