Miftar Memeti dhe Drenusha Palloshi nga Tetova: Arti i socializmit në Shqipëri nuk duhet nënçmuar, ja ku ndryshon nga ai në Jugosllavi
Dy artistë nga Tetova e bukur, dy breza, dy adhurues të së bukurës, dy botë që rrëfehen “Mes dy boteve “ të Helidon Halitit . Miftar dhe Drenusha Memeti, pashmangshmërisht të lidhur jo vetëm prej gjakut si babë e bijë, por dhe si artisti me pasardhësen e denjë të ngjashme në vlerë dhe unike në qasje artistike.
Profesor Miftar Memeti tregon se arti në ish-Jugosllavi ka pasur ndryshime thelbësore nga ai në Tiranë. Gjithsesi, artisti i njohur nënvizon se arti socialist në Shqipërinë e atyre viteve ende sot e kësaj dite mbërrin në kohë dhe është një vulë që nuk mund të përsëritet më.
“Nuk kam pasur pasqyrë të qartë. Por megjithatë nga viti 1978-1979 erdhi një ekspozitë e veprave të pikturorëve shqiptarë në skulpturë, në grafikë, në pikturë. Aty ne për herë të parë u ballafaquam me artin e socializmit. Jugosllavia nuk e ka pasur të njëjtin art siç e ka pasur real socializmi shqiptar. Jugosllavia ka pasur një art që është kopjuar nga Franca sepse gjithë profesorët që kishim, kishin mbaruar në Boegrad ndërsa profesorët e Beogradit në Paris. Në Beograd është përcjellë fryma e Parisit. Më perëndimor kanë qenë. Ndërsa ne u ballafazquam me artin socialist të Shqipërisë që ende sot e kësaj dite mbërrin në kohë dhe unë dua të them se është një vulë që më nuk përsëritet në Shqipëri. Mos të bëjmë fjalë në skulpturë. Gjithë skulpturat që unë kam parë në Shqipëri janë ndër më të mirat që unë kam parë në Ballkan. Sinqerisht më kujtohet skulptura e Bajram Currit, një skulpturë e jashtëzakonshme. Pastaj dhe pikturat kishin një kuptime dhe pse ishin pak të stërmadhume. Në ato piktura, në ato skulptura dominonte një force, një fuqi, një vulë që unë mendoj që aty në pikturat e real socializmit Shqipëria duhet t’i ruajë dhe të mos i nënçmojë në asnjë mënyrë. Për mua është një etapë, një kohë që nuk do të përsëritet; aty ka zanat, ka disiplinë, mjeshtëri. Propaganda është çdo herë, edhe sot ka propagandë partiake”, deklaroi Miftar Memeti.
Artisti i njohur tetovar, njëherësh dhe profesor I sa e sa artistëve të rinj, shprehet se themelimi I Katedrës së Artit në Universitetin e Tetovës është një ngjarje e shënuar. “Ishte mburrje, dhe ndonjëherë them në rast se në historinë shqiptare ka ndodhur diçka, është: 1-Themelimi i shtetit shqiptar, 2-Kosova Republikë dhe 3-Universiteti i Tetovës. Këto janë tri pikat më të mëdha që njeh historia e kombit”.
Padiskutim emri i profesor Miftar Memeti lidhet dhe me portretin e shejtores shqiptare Nënë Tereza. “Kur erdhi 100-vjetori i lindjes desha të bëj diçka më ndryshe. Një ndër portretet e Nënë Terezës e kam krahasuar me nënën time. Ndoshta mund të kem realizuar afro 100 portrete të Nënë Terezës të ndryshme. Një mbrëmje më vjen djali im dhe më thotë:- Babi, Nënë Tereza i ngjan shumë nënës sonë. Kështu që më lindi ideja që figurën e Nënë Terezës ta veshim me rrobat e nënës sime. Pasi bëra një cikël të pikturave të Nënë Terezës ku gjendej në kopshtin tim në pikturat e mia. Me rastin e 100 vjetorit desha të bëj dicka më ndryshe. Ajo diçka më ndryshe kishte brenda një portret të madh me 100 portrete të vogla të Nënë Terezës. Gjithë ato pikturat e mia i fotografova dhe kur vinin ta shihnin ekspozitën, merrnin një kartolinë”, deklaroi Memeti.
Në gjurmët e babait të saj është dhe vajza e tij, Drenusha Memeti, e cila tashmë është pedagoge në Katedrën e Artit në Universitetin e Tetovës. Ajo shpreson se shumë shpejt do të vijë me një ekspozitë në Tiranë, një qytet që ka mikpritur kurdoherë artistët nga trevat shqiptare.
“Kam dëshirë shumë të madhe që t’i ekspozoja në Shqipëri pasi më lidhin shumë gjëra me Tiranën. Tirana ka qenë vendi i preferuar i imi dhe shyqyr zotit kam dhe lidhje familjare në Shqipëri dhe në Tiranë. Kështu që Tiranën e frekuentoj shumë shpesh bashkë me familjen time dhe ndjehem e detyruar që atje të bëj një ekspozitë. E kishim ëndërr të vinin në Tiranë, që të ekpozohemi atje dhe arti jonë të pranohet te ju. Gjithmonë ju kemi parë në një nviel pak më të lartë dhe tani janë bashkuar gjërat dhe është bërë një bashkëpunim shumë i mirë mes trojeve të tjera shqitare me Tiranën tonë të dashur. Dhe na mikpret Tirana gjithmonë”, shprehet artistja e re Drenusha Memeti.