Misteri i llogarive të mbretërorëve në Instagram
Llogaria @KensingtonRoyal në Instagram u krijua në janar të vitit 2015, si një llogari e përbashkët për princin William, bashkëshorten e tij Kate, dhe vëllain e vogël, princin Harry. Kur Harry u fejua me Meghan Markle, @KensingtonRoyal filloi të funksiononte si një llogari e përbashkët e çifteve, deri më 2 prill të vitit 2019. Në këtë datë, princ Harry dhe Meghan Markle hapën një llogari më vete, të quajtur @SussexRoyal. Pas hapjes së llogarisë, disa gjëra të çuditshme ndodhën. Që në fillim, @SussexRoyal fitoi shumë popullaritet. Llogaria vendosi një rekord botëror Guinness për arritjen më të shpejtë të 1 milion ndjekësve në Instagram (rekord që u thye nga Jennifer Aniston). Të gjithë nisën të parashikonin momentin sidomos tabloidët kur @SussexRoyal do të mbikalonte ndjekësit e @KensingtonRoyal. Një gjë e tillë dukej e pashmangshme, sepse kishte një interes më të madh për çiftin Harry-Meghan sesa William-Kate.
Nga të dhënat në Google, që nga nëntori i 2017-s deri në fund të janarit të këtij viti, kërkimet Harry-Meghan përbëjnë 83% në krahasim me ato të dukës dhe dukeshës së Cambridge-it. Pritej që eklipsi në Instagram të ndodhte në prill ose në fillim të majit, pas ardhjes në jetë të Archie-t, por jo. Pavarësisht popullaritetit dhe interesit gjithnjë e më shumë ndaj tyre, @SussexRoyal nuk arriti kurrë të tejkalonte ndjekësit e William dhe Kate. A është rastësi apo fshihet diçka tjetër? Ekspertët e rrjeteve sociale thanë për New York Times se një gjë e tillë mund të shpjegohet nga algoritmi i Instagrami-t, që rregullon përhapjen e përmbajtjes, gjë që sigurisht rezulton në ndjekës për William dhe Kate.
Megjithatë, nga të dhënat e siguruara nga kompanitë që analizojnë rrjetet sociale, rezulton se 10 postimet më të pëlqyera në @KensingtonRoyal dhe @SussexRoyal janë foto të princit Harry dhe Meghan-it dhe/ose djalit të tyre. E vetmja foto e Kate-William në Top10 është një foto e ditës së parë të shkollës të princit Charles dhe princeshës Charlote, e cila gjithsesi qëndron në vendin e tetë. Të dhënat e sigurura nga programe që monitorojnë aktivitetin e llogarive në Instagram, thonë se ndërveprimi në @SussexRoyal është më i madh, duke iu referuar pëlqimeve dhe komenteve. Mund të duket i pakuptimtë, po çelësi i monarkisë dhe jetës së familjes mbretërore është: Hierarkia. Hierarkia është ajo që e bën vëllain e madh më të rëndësishëm, bën një bebe (princ Louis) më të fuqishëm se xhaxhai 35-vjeçar (Harry). Dhe hierarkia duhet të jetë në të njëjtën linjë me mbështetjen e publikut, qoftë edhe në numër ndjekësish. /Anabel/