Modelja shqiptare Vivian Canaj: Kontrata ime e majme me Cavalli-n
Edhe pse e re në moshë ka arritur të ketë një sukses ndërkombëtar. Vivian Canaj duket se e ka ‘braktisur’ karrierën në Shqipëri, për tu shndërruar në modelen e vitit në Gjermani. Imazhi zyrtar i Cavallit si dhe i disa emrave të tjerë të famshëm në botë, rrëfen fillimet në botën e modës. Ajo shprehet se fillimisht pasarelën e pa si një trampolinë nga ku do të kalonte në televizion, por që rezultoi e suksesshme. Nuk sheh rivalitet midis vajzave të tjera, madje një vlerësim ka dhe për modelet e tjera shqiptare në botë si Angela Martini, Vildane Zeneli etj. Edhe pse e rezervuar sa i përket jetës private, tregon se partneri duhet ta mbështesë në atë çfarë bën. Duket se shumat nuk kanë shumë rëndësi për të, teksa thotë se nuk do të pranonte të pozonte nudo as për 1 milion dollarë.
Si ka nisur karriera juaj në modeling, ka qenë kjo një ëndërr e juaja që e vogël?
Faktikisht ka qenë kështu. Që para shumë vitesh ëndërroja që ti hyja kësaj bote. Kur isha 15 vjeç vendosa që ta mendoja seriozisht këtë ëndërr dhe të mund ta bëja realitet. Faktikisht do të më duhej shtysa e mamasë sime për ta hedhur këtë hap. Rezultoi e suksesshme, sepse sot kam çmime me të vërtetë prestigjioze në karrierën time.
Veçmas në Shqipëri ju shumë e famshme jeni edhe në Evropë, si u bëtë pjesë e pasarelave ndërkombëtare?
Vitin e shkuar kam përfaqësuar vendin në “Top Model of dhe Word” në Gjermani, ku dhe mendoj se ka qenë nisja e suksesit. Aty fitova vëmendjen e Nazlije Sadriaj, një make up artist shumë e famshme në botë, por me origjinë shqiptare. Në bashkëpunim me të e zhvendosa karrierën time përtej kufijve. U bëra imazh i shumë fushatave publicitare. Në Gjermani jam dhe imazhi i Cavallit, duke realizuar sete fotografike si dhe reklama të ndryshme. Në Gjermani kam realizuar një kopertinë reviste ku jam konsideruar si modelja e vitit në këtë shtet. Gjithashtu jam imazhi zyrtar i ‘Vision Group’, që është dhe kompania më e madhe zvicerane e marketingut.
Sa ju ka paguar Cavalli për të qenë pjesë e fushatës?
Natyrisht që nuk mund të them një shifër sepse nuk është etike, por ka qenë një shifër shumë e majme. Kur bëhet fjalë për një firmë kaq prestigjioze edhe pagesa është e madhe. Nuk mund të krahasohet me pagesat që bëhen në Shqipëri. Modelet jashtë paguhen me standardet e supermodeleve botërore.
A keni rivale në modeling, e keni ndjerë xhelozinë gjatë karrierës suaj?
Dihet që femrat janë shumë xheloze si natyrë. Megjithatë jam e rrethuar nga mike shumë të mira dhe nga njerëzit e afërt që kam nuk e kam ndjerë kurrë një gjë të tillë. Ndërsa nga njerëz më të lartë nuk më ka prekur rivaliteti, ose xhelozia.
Duke qenë se keni fituar një çmim të famshëm ndërkombëtar, a e konsideroni veten si modelja më e mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani?
Nuk di çfarë të them për këtë. Ka shumë vajza të bukura dhe modele shumë të mira, por fakti që unë e kam këtë trofe, do të thotë se ia kam dalë.
I njihni supermodelet shqiptare si Angela Martini, Emina Cunmulaj, Vildane Zeneli, çfarë mendoni për to?
Natyrisht që i njoh. Mendoj se renditen ndër femrat më të suksesshme shqiptare që kanë ditur të bëjnë karrierë edhe në SHBA. Më vjen mirë që ia kanë dalë dhe sot gëzojnë një sukses ndërkombëtar.
A mendon se një supermodele duhet të ketë një të dashur milioner?
Kjo gjë është shndërruar më shumë në një steriotip tashmë. Nuk është e thënë që partneri të jetë milioner, të paktën unë nuk e kam këtë prioritet. Mjafton të jetë dikush me të cilin përshtatem dhe ndjehem mirë, pak rëndësi ka pjesa tjetër.
Si i keni marrëdhëniet me meshkujt, a keni një lidhje?
Kam marrëdhënie shumë të mira me meshkujt. Shumica e miqve të mi janë meshkuj dhe ndjehem e lirë me ta. Sa për lidhje ‘no coment’.
A do ta pranonit nëse i dashuri juaj do të bëhej xheloz për ju?
Mendoj se në një lidhje nuk ka vend për të tillë xhelozi. Nëse kam dikë në krah ai duhet ta mirëkuptojë punën që unë bëj dhe të më mbështesë. Nëse nuk ndodh kështu, nuk besoj se lidhja do të ishte e qëndrueshme.
Shpeshherë modelet tentojnë botën e televizionit, e keni ju këtë aspiratë?
Më ka pëlqyer gjithnjë ekrani i madh. Kur e nisa modelingun e mendova si një trampolinë për të arritur tek televizioni, pavarësisht se me fat dhe me shumë punë arrita këtu ku jam sot. E kam menduar shpesh veten si moderatore dhe shpresoj shumë që një ditë ti realizoj vetes edhe këtë ëndërr.
Nëse ndodh kështu, me cilin partner do të donit të ishit në një studio?
Pyetje e vështirë kjo. Ka disa në fakt, por pse jo të prezantoja me Ardit Gjebrean ‘E diela Shqiptare’.
A do të pozonit nudo për 1 milion dollarë?
Jo në fakt nuk do ta bëja kurrë. Nuk ka rëndësi shuma sesa është, jam e vendosur në këtë pjesë. Nuk kam ndërmend të rri gjithë jetën modele. Aktualisht unë po studioj për juriste dhe nuk më duket e udhës që në të ardhmen një juriste të ketë në backgroundin e saj një foto nudo./BW